FLASH :

Osmani: Kemi gati ligjin për heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, por duhet konstituimi i Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Zyra e Presidencës ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.

“Ne e kemi gati ligjin që do t’ia propozojmë Kuvendit në momentin që konstituohet. Kam diskutuar me shumë deputetë, jam e bindur që do të kalojë”, tha Osmani në një intervistë për RTV 21.

Më 3 prill, Osmani i kishte kërkuar Qeverisë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.

Vendimi i Trumpit përfshinte tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës me tarifë bazë prej 10 për qind, por më të lartë për vendet me të cilat SHBA-ja ka deficit tregtar.

Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e kishte kritikuar qasjen e presidentes Osmani duke thënë se “politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit” dhe se këto çështje duhet të trajtohen larg mediave.

Kjo kishte nxitur reagim nga këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, i cili e kishte cilësuar përgjigjen e Muratit “të turpshme dhe skandaloze”.

Osmani tha se kjo mosmarrëveshje mes institucioneve shtetërore të Kosovës e ka dëmtuar “interesin e Republikës së Kosovës jashtë mase”.

“Ajo përgjigje ishte një dëm i madh për Kosovën, sepse Kosova e pat një momentum të jashtëzakonshëm që ta fuqizonte aleancën me Amerikën, në një moment kur për Amerikën ka qenë esenciale se kush është shteti i parë qe del me një propozim të tillë. Dhe unë kam qenë presidentja e shtetit të parë që kam dalë me atë propozim dhe ka qenë me rëndësi të dalim ne të parët”, tha Osmani.