Zbardhen detaje tronditëse nga hetimet për vrasjen makabre të studentes shqiptare Ilaria Sula në Itali. Hetuesit italianë kanë gjetur në telefonin e Mark Antony Samson, ish-i dashuri dhe autori i dyshuar i krimit, mesazhe të qarta kërcënuese ku shkruhej: “Ose kthehet tek unë, ose do ta vras.”
Trupi i Ilaria Sulës u gjet i fshehur në një valixhe dhe i braktisur në një përrua pranë Via Homs në Romë, pasi ishte goditur me thikë. Prokuroria e kryeqytetit italian e akuzon Samsonin për vrasje me paramendim dhe dashje të rënduar. Hetimet kanë zbuluar se i riu kishte planifikuar vrasjen dhe kishte diskutuar paraprakisht me miqtë për veprimin që do të ndërmerrte.
Gjithashtu, autoritetet dyshojnë se Samsoni është përpjekur të devijojë hetimet duke dërguar mesazhe në emër të Ilaria-s tek shoqet e saj, për t’i shtirur sikur ishte ende gjallë. Ndërkohë, nëna e autorit është vënë nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e kufomës, ndërsa vetë Samsoni është marrë sërish në pyetje.
Ky rast i rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, ndërsa autoritetet po thellojnë hetimet për të zbardhur çdo detaj të kësaj vrasjeje të paralajmëruar.







