Pak ditë pasi u përfol për ndarjen nga Katy Perry, aktori Orlando Bloom ka bërë një paraqitje të bujshme në Venecia si një “burrë i lirë”, duke u bashkuar me yje si Kim dhe Khloe Kardashian, Tom Brady dhe Scooter Braun në prag të dasmës 20 milionë dollarëshe të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez.
Në një moment që mori vëmendje në rrjet, Bloom shihet duke i dhënë disa përqafime ajri Kim Kardashian, ndërsa bisedojnë me të qeshura në shoqërinë e Khloe-t dhe miqve të tjerë, përpara ceremonisë që pritet të mbahet të premten. Orlando dhe Kim kanë histori – një vit më parë ai u kap nga kamerat duke “vështruar” të pasmet e Kim ndërsa ndodhej krah Katy Perry në një darkë bamirësie. Katy asokohe e mori me sportivitet: “Ku është problemi? Unë e aprovoj.”
Por ndërsa VIP-at darkojnë në hotele luksoze si Gritti Palace – me dhoma që nisin nga 2,500 euro nata – zemërimi po zie në parlamentin italian. Deputetë të opozitës kanë denoncuar bllokimin e lagjeve historike dhe kanaleve të Venecias, ndërsa qyteti “kthehet në një park privat për miliarderët”. Pyetja e madhe që po ngrihet: Sa po i kushton kjo festë buxhetit të shtetit?
“Është e turpshme që një qytet i tërë të blihet për tre ditë për qejfin e miliarderëve,” u shpreh deputeti i majtë Angelo Bonelli. Aktivistët janë zotuar të bllokojnë kanalet me lodra ujore, krokodilë plastikë dhe snorkelë, ndërsa mediat zbuluan se një organizator i dasmës kishte ekspozuar aksidentalisht listën e të ftuarve para kamerave.
Ndërkohë, Kim Kardashian ka bërë gjithçka për të marrë vëmendjen – me një veshje Balenciaga që lë shumë pak për imagjinatë – ndërsa Oprah, Gayle King dhe Mbretëresha Rania e Jordanisë janë mes të ftuarve që po mbërrijnë. Gjithçka nën masa të rrepta sigurie dhe kosto që ende mbetet mister për taksapaguesit italianë.
Venecia është bllokuar, por luksi nuk ndalet. Pyetja që ngrihet nga qytetarët dhe deputetët është e qartë: a po kthehet trashëgimia kulturore italiane në pronë të super të pasurve – dhe kush po e paguan këtë shfaqje?







