FLASH :

Orët e sekuestruara, Mozzik paraqitet sot në Doganë për të sqaruar çështjen

Reperi i njohur shqiptar, Mozzik, ka vijuar sot seancat e intervistimit në ambientet e Doganës së Kosovës, në kuadër të një hetimi që lidhet me dy orë luksoze të cilat u kapën në bagazhin e tij dy ditë më parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas burimeve zyrtare, autoritetet doganore kanë kërkuar sqarime të hollësishme mbi mënyrën e blerjes së këtyre orëve, përkatësisht burimin e të ardhurave që janë përdorur për blerjen si dhe origjinën e transaksioneve financiare që lidhen me to. Dyshohet se ora mund të ketë një vlerë të konsiderueshme, çka ka çuar në thellimin e kontrollit nga ana e autoriteteve.

Në pamjet që kanë qarkulluar sot në media dhe rrjete sociale, Mozzik është parë duke hyrë në ambientet e Doganës nën shoqërimin e avokatit të tij, juristit të njohur Arianit Koci, i cili pritet të mbrojë reperin në këtë proces.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë deklaratë publike nga vetë Mozzik apo përfaqësuesit e tij ligjorë, ndërkohë që hetimet janë ende në vazhdim e sipër.

Ky rast ka ngjallur vëmendje të madhe në opinionin publik, duke hapur diskutime mbi mënyrën sesi trajtohen figurat publike në raste të tilla, si dhe mbi transparencën financiare në botën e showbiz-it.