Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Qelqi”, duke arrestuar një 42-vjeçar që tentoi të fuste në mënyrë të paligjshme në vend një sasi verë dhe shampanje pa i deklaruar në doganë. Shtetasi Sh. G., banues në Durrës, u ndalua në hyrje të Portit të Durrësit gjatë një kontrolli të detajuar të bazuar në analizën e riskut.
Gjatë kontrollit të kamionit që ai drejtonte, shërbimet e Policisë Kufitare zbuluan arka me verë dhe shampanjë të cilat dyshohet se ishin të kontrabanduara, pasi nuk shoqëroheshin me fatura blerjeje dhe nuk ishin deklaruar në pikën kufitare, siç parashikohet nga ligji. Mallrat, së bashku me kamionin, pasaportën dhe celularin e të arrestuarit, u sekuestruan si prova materiale. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.