FLASH :

Operacioni për ndërtimet pa leje prek edhe ish-kreun e IMT-së në Durrës, ndërtoi resort turistik pa leje kur ishte në detyrë! Vihet në pranga

Ish-kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës, u arrestua nga policia, pasi u zbulua se gjatë kohës që mbante këtë detyrë ka ndërtuar në Ishëm një resort turistik pa leje. 

DURRËS– Në Shqipëri, prej rreth 2 muajsh ka nisur një operacion kombëtar për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, një aksion për të cilin kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se nuk do të ndalet deri në eliminim e fenomenit dhe goditjen e personave përgjegjës në çfarëdo niveli qofshin ata, përfshirë edhe “symbyllurit” në inspektorate, polici e me radhë, siç kreu i qeverisë shprehej.

Një rast i zbuluar vetëm këtë të mërkurë nga policia, nxjerr në pah se mbyllja e syve ndaj ndërtimeve pa leje, ka qenë deri në krye të institucioneve që duhej të raportonin paligjshmërinë.

Madje jo vetëm mund të jenë toleruar persona të ndryshëm. Ardian Halili, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës përgjatë viteve 2017-2021, ka zgjedhur ta shkelë ligjin në emër të tij.

8 vite më parë Ardian Halili ndërtoi në fshatin Shetaj të Ishmit, resort turistik pa leje, Saint Michelle Residence. Autoritetet e zbuluan paligjshmërinë këtë gusht të 2025-ës. Policia e Durrësit njoftoi, se ish-zyrtari ra në pranga këtë të mërkurë, 27 gusht, nga specialistët për hetimin e Krimit Ekonomiko Financiar.

Resorti turistik është ndërtuar pranë Kepit të Rodonit, në një zonë të rrethuar nga deti dhe hotelet e restorantet për pushuesit. Sipas bluve të qytetit bregdetar, në kohën kur resorti turistik është ndërtuar pa lejen e autoriteteve, në vitin 2017, Ardian Halili ka qenë kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës, rreth që mbulon edhe komunën e Ishmit ku ishin ngritur objektet pa leje. 

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar arrestuan shtetasin A. H., 55 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në vitin 2017, kur ka qenë me detyrë kryeinspektor i IMT Durrës, ka ndërtuar pa leje, disa objekte (shtëpi pushimi), në fshatin Shetaj, Ishëm”, bëri me dije policia vendore.

Ish-kryeinspektori 55-vjeçar me banim në Tiranë është, njëkohësisht është bashkëshort i ish-prokurores Rabjana Halili. Në nëntor të vitit 2018, mediat shkruanin se anëtarë të një familje e kërcënuan për shkak të detyrës Ardian Halilin, si reagim pas urdhrit që institucioni që ai drejtonte kishte lëshuar për prishjen e një objekti të përjashtuar nga skema e legalizimit, por që deri në fund me këmbënguljen e tyre në dyert e gjykatave, objekti pranë Urës së Dajlanit, u legalizua.

Sipas Drejtorisë së Hekurudhës Shqiptare legalizimi i objektit pranë urës së Dajlanit, cenonte sigurinë hekurudhore. Një nga familjarët Bedri Dervishi, pretendonte në atë kohë në media se u la 1 muaj kohë për ankimim, por inspektorati vendosi ta prishte. Megjithatë, sipas raportimeve të kohës, me vendim gjykate, banesa u legalizua, pasi edhe vetë se Hekurudha Shqiptare ndryshoi qëndrim se objekti nuk e cenon linjën hekurudhore.

Në atë kohë, kryeinspektori qëndronte në një lokal pranë banesës së tij në fshatin Bizë të Durrësit, kur pretendoi se anëtarët e familjes Dervishi e kërcënuan me jetë. Për këtë episod, Ardian Halili bëri denoncim në polici pasi tha se u ndje i kërcënuar.