Një operacion antidrogë i realizuar nga Policia Kufitare në Kapshticë ka çuar në kapjen e një sasi të konsiderueshme droge që do të kalonte drejt Greqisë. Gjatë kontrollit, janë sekuestruar rreth 6 kg heroinë, të fshehura në copa çokollate, dhe janë arrestuar drejtuesi i një mjeti me vendbanim në Pogradec, i cili e kishte fshehur drogën në një vend të ndërtuar enkas për këtë qëllim.
Operacioni është realizuar në bashkëpunim me forca të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Drejtorisë së Policisë së Qarkut Korçë dhe Policisë Kufitare. Burime të siguruara kanë theksuar se operacioni është mbajtur sekret edhe për Policinë Kufitare të Kapshticës, duke ngritur dyshime për persona të tjerë të përfshirë në këtë trafik. Policia po vazhdon hetimet dhe dyshon se mund të ketë ndihmës për kalimin e drogës drejt Greqisë.







