Çdo veprim hakmarrës dhe rritje e aktiviteteve ushtarake nuk bëjnë gjë tjetër veçse thellojnë destabilizimin në rajon dhe më gjerë, paralajmëroi zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric. Komentet e tij vijnë pas raportimeve për lëshimin e raketave nga Irani ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
“Çdo hakmarrje e re vetëm sa e fut botën më thellë në një vrimë të hakmarrjes, siç e quajti Sekretari i Përgjithshëm. Ky është një cikël që na largon nga paqja dhe zgjidhja diplomatike,” deklaroi Dujarric.
Kur u pyet për legjitimitetin e sulmeve ajrore amerikane mbi objektet bërthamore iraniane, zëdhënësi i OKB-së theksoi se organizata po vëzhgon “shkelje të përsëritura të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.
Sipas mediave iraniane, ushtria e Republikës Islamike ka ndërmarrë një operacion të koduar “News of Victory” kundër bazës amerikane Al-Udeid në Katar. Më herët, Izraeli goditi objektiva në territorin iranian më 13 qershor, duke shkaktuar përshkallëzimin e situatës. Irani u kundërpërgjigj brenda 24 orëve, dhe luftimet kanë vijuar me humbje të të dyja palëve.
SHBA iu bashkua drejtpërdrejt konfliktit më 22 qershor, kur Forcat Ajrore Amerikane sulmuan tre qendra bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Isfahan. Përshkallëzimi aktual ka ngritur shqetësime serioze për paqen në Lindjen e Mesme dhe për sigurinë globale.







