FLASH :

OBSH shton trajtimet për kancerin, diabetin, obezitetin e fibrozën cistike

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar listë e re të Barnave Themelore për të rritur dhe për fëmijë, duke shtuar trajtime të reja për sëmundje si kanceri, diabeti, obeziteti, dhe fibroza cistike.Këto lista përdoren nga mbi 150 shtete si bazë për furnizimin me barna dhe rimbursimin nga sigurimet shëndetësore.


Sëmundjet tumorale si shkaku i dytë kryesor i vdekjeve globale, kanë marrë vëmendje të veçantë. Janë shtuar barna imunoterapike si pembrolizumabi, për forma të avancuara të kancerit të mushkërive, qafës së mitrës dhe zorrës së trashë.

Ndërkohë, për diabetin tip 2 dhe obezitetin, janë përfshirë barna të avancuara si semaglutidi dhe tirzepatidi, që jo vetëm ulin sheqerin në gjak, por ndihmojnë në uljen e peshës dhe parandalimin e sëmundjeve të zemrës e veshkave.

OBSH paralajmëron se çmimet e larta të këtyre barnave po kufizojnë aksesin në vendet me të ardhura të ulëta. Organizata bën thirrje për politika të reja që nxisin barnat gjenerike dhe ofrimin e tyre në kujdesin shëndetësor parësor.

Në total, listat e përditësuara përfshijnë 523 barna për të rritur dhe 374 për fëmijë – të gjitha të përzgjedhura për rëndësinë e tyre jetike në shëndetin publik.