FLASH :

OBSH: Pandemia e radhës mund të shpërthejë në çdo moment

“Pandemia e ardhshme mund të shpërthejë kudo dhe në çdo moment. Mund të shkaktohet nga një virus i njohur ose nga një agjent krejtësisht i ri, atë që shkencëtarët e quajnë patogjeni X”.

Ky është paralajmërimi i drejtorit të përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, i bërë publik në një video me rastin e konferencës Mastering Immunity 2025 të mbajtur në Singapor.

“Pyetja nuk është nëse do të shfaqet patogjeni X, por nëse do të jemi gati kur të ndodhë”, theksoi ai, duke bërë thirrje për një angazhim global për forcimin e përgatitjes shëndetësore.

Kreu i OBSH përsëriti rëndësinë e zgjerimit të kërkimeve duke përdorur prototipe patogjenësh që mund të simulojnë sjelljen grup familjeve virale, për të kuptuar mënyrat e përhapjes dhe strategjitë e frenimit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thelbësore është edhe zhvillimi i një kërkimi bashkëpunues dhe të shpërndarë gjeografikisht.

Tedros Adhanom Ghebreyesus kujtoi se në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë të këtij viti, vendet kanë miratuar marrëveshjen historike të OBSH-së për pandemitë, një instrument juridik ndërkombëtar që parashikon angazhime detyruese për forcimin e kërkimit, zhvillimit dhe aksesit të barabartë në vaksina dhe masa mjekësore kundër pandemive.

Ndër iniciativat e nisura, ai përmendi programin për teknologjinë mRNA në Afrikën e Jugut, të lançuar në vitin 2022 dhe që sot ndahet me një rrjet prej 15 vendesh partnere.

OBSh-ja, përfundoi ai, po punon për të promovuar konsorciume kërkimore të hapura që bashkojnë shkencëtarë, zhvillues, financues dhe rregullatorë, me synimin për të përshpejtuar zhvillimin e mjeteve kundër kërcënimeve të ardhshme pandemike.