Një objekt i pazakontë nga një sistem tjetër diellor po udhëton me shpejtësi marramendëse drejt Diellit, dhe disa shkencëtarë paralajmërojnë se mund të mos jetë thjesht një kometë.
Sipas një teorie të re, 3I/ATLAS mund të jetë teknologji jashtëtokësore… ndoshta edhe me qëllime armiqësore.
Objekti, i quajtur 3I/ATLAS, është identifikuar në fillim të korrikut dhe po lëviz me mbi 210.000 kilometra në orë, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit shkencor ndërkombëtar. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një kometë me diametër mbi 15 milje, por një studim i ri hedh në tavolinë një skenar shumë më shqetësues.
Sipas një publikimi në bazën shkencore arXiv më 16 korrik, tre studiues nga ‘Initiative for Interstellar Studies’ në Londër, përfshirë edhe astrofizikanin e njohur nga Harvard, Avi Loeb, pretendojnë se 3I/ATLAS paraqet anomali në shpejtësi dhe trajektore, të cilat nuk përputhen me sjelljet e zakonshme të trupave natyrorë.
Loeb nuk është një emër i panjohur për këtë lloj teorie: në vitin 2017 ai tronditi botën shkencore kur deklaroi se objekti ndërplanetar ʻOumuamua mund të kishte qenë një sondë jashtëtokësore. Tani ai thotë se 3I/ATLAS ngjan edhe më shumë me diçka “teknologjike”.
3I/ATLAS pritet të kalojë pas Diellit në raport me Tokën, një pozicion që sipas Loeb mund të jetë i qëllimshëm. Kjo e bën më të vështirë që objektin ta vëzhgojmë kur ndodhet në pikën më të ndritshme ose nëse, siç spekulohet, lëshon objekte drejt Tokës.
Sipas llogaritjeve, objekti pritet të ketë pikën më të afërt me Tokën në fund të nëntorit ose fillim dhjetori 2025. Nëse vërtetohet se është krijim artificial, nuk përjashtohet mundësia që të jetë një mjet vëzhgimi apo edhe një formë sulmi.
Jo të gjithë shkencëtarët bien dakord me këtë teori. Astronomja Samantha Lawler nga Universiteti Regina në Kanada thotë se të dhënat sugjerojnë një kometë ndëryjore, e ngjashme me ato që kanë kaluar më parë pranë sistemit tonë diellor.
Madje edhe vetë Loeb e pranon në fund të analizës së tij se është më e mundshme që 3I/ATLAS të jetë një objekt natyror. Por sipas tij vetëm mundësia që të mos jetë, mjafton për të ndezur alarmin në qarqet shkencore.
Forma, shpejtësia dhe trajektorja e çuditshme e 3I/ATLAS kanë bërë që disa ekspertë të mbeten të rezervuar. Nëse bëhet fjalë për teknologji jashtëtokësore, mund të mos jetë thjesht një ‘dron’ i zakonshëm, por një mjet vëzhgimi, kontakti apo më keq, afrimi taktik.
Kjo është hera e tretë që një objekt i tillë ndërplanetar viziton sistemin tonë diellor në më pak se një dekadë, pas ʻOumuamua dhe 2I/Borisov. Pyetjet nuk mungojnë: Na kërkojnë? Na vëzhgojnë? Apo kanë qenë gjithmonë këtu?
Avi Loeb ngre alarmin: “Ndoshta është koha të fillojmë të mendojmë për mbrojtjen e Tokës”, nëse vërtet ky objekt nuk është aq i pafajshëm sa duket.