Obeziteti tek fëmijët për herë të parë tejkalon shifrat e atyre nën peshë. Sipas raportit më të fundit të UNICEF, duke iu referuar fëmijëve nga 5-19 vjeç në 190 vende të ndryshme, 1 në çdo 10 është obez, thënë ndryshe 188 mln fëmijë në moshë shkollore e adoleshenciale.
Kjo formë kequshqyerjeje, që prej vitit 2000 ka shënuar rritje, duke kaluar nga 3% në 9.4% në nivel global, ndërsa nën pesha ka kaluar nga 13% në 9.2%.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke u bazuar në statistika, rritja e nivelit të obezitetit ka ardhur kryesisht si pasojë e kalimit nga regjime ushqimore tradicionale në ushqime të importuara, me kosto të ulët dhe vlerë të lartë energjike.
Peshën më të madhe në këtë zinxhir e mbajnë ushqimet e procesuara që janë ato që përpunohen disa herë, duke humbur vlerat ushqimore bazë, e që janë me nivele të larta yndyrore dhe përbërës të shtuar artificial, të dëmshme për organizmin.
Sikurse edhe pijet me nivel të lartë të sheqerit dhe ngjyrues, që fëmijët e kanë gjithnjë e më të lehtë të konsumojnë të shtyrë edhe nga marketingu industrial.
Obeziteti është një formë më e rëndë e mbipeshës, dhe pasojat në organizëm janë të mëdha, veçanërisht nëse kjo gjë verifikohet që në fëmijëri.
Ndër pasojat renditen një rrezik më i lartë për rezistencë ndaj insulinës, pra për t’u prekur nga diabeti, nga hipertensioni, sëmundje që mund të jenë potencialisht fatale në moshë pak më të avancuar, sëmundje kardiovaskulare, dhe disa lloje tumoresh.