Prej katër vitesh, nxënësit e fshatit Donofrosë në bashkinë Dimal janë detyruar të zhvillojnë mësimin në kushte skandaloze, në një lokal të përshtatur e të marrë me qira nga bashkia, pasi shkolla 9-vjeçare e fshatit është mbyllur nën pretendimin e rrezikut për shembje.
Në ambientin e marrë me qira mësojnë 53 nxënës të shpërndarë në 6 klasa, të ndarë vetëm me perde, çka bën të pamundur përqendrimin gjatë mësimit. Fëmijët ankohen për zhurma, mungesë kushtesh minimale dhe madje praninë e gjarpërinjve në ambientet e brendshme.
“Kushtet janë shumë të këqija. Dëgjojmë edhe klasat e tjera dhe nuk kuptojmë asgjë. Na dalin edhe gjarpërinj brenda,” – thonë nxënësit.
Sipas banorëve, mbyllja e shkollës nuk ka lidhje me sigurinë apo ndonjë raport teknik pas tërmetit, por është bërë për t’i plotësuar “tekat e një banori të vetëm”. Këtë version e mbështet edhe kryeplaku i fshatit, Shaban Metohu, i cili hedh poshtë pretendimet për rrezik shembjeje, duke theksuar se plasaritjet në mur kanë qenë të njëjta që nga viti 1982, dhe se godina ka një themel të fortë prej 3 metrash, por kërkon vetëm lyerje dhe mirëmbajtje
“Shkolla është mbyllur për tekat e një personi. Ajo nuk ka asnjë rrezik. Më përpara aty mësonin rreth 600 nxënës nga gjithë zona,” – tha Metohu.
Ndërkohë, oborri i shkollës së mbyllur sot përdoret për të kullotur delet, sipas banorëve nga një person që, sipas tyre, ka ndikim dhe askush nuk guxon të përmendë emrin e tij.
Situata është po aq alarmante edhe në kopshtin e fshatit, ku 20 fëmijë mësojnë në një shtëpi të marrë me qira, në kushte minimale dhe të papërshtatshme për moshën e tyre.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Dimal dhe Ministria e Arsimit, për të rihapur shkollën dhe për t’i dhënë fund kësaj forme të shpërfilljes së komunitetit. Shkolla e Donofrosës ka qenë historikisht një qendër arsimore për pesë fshatra: Donofrosë, Allambrez, Bistrivicë, Skrevan dhe Pobrat, por sot, shumë prindër janë të detyruar të dërgojnë fëmijët në shkolla private në Rroskovec, për shkak të mungesës së një institucioni dinjitoz në zonë.