FLASH :

Nxehtësia ekstreme dhe planifikimi urban: Raporti i Bankës Botërore nxjerr në pah sfidat për qytetet si Tirana

Temperaturat ekstreme dhe valët e të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive në Europë dhe Azinë Qendrore, duke prekur gjithashtu edhe Shqipërinë. Raporti më i fundit i Bankës Botërore, me titull “Të pabanueshëm: Si qytetet në Europë dhe Azinë Qendrore mund të mbijetojnë dhe të lulëzojnë në një të ardhme më të nxehtë”, thekson rolin kritik të planifikimit urban për të përballuar krizën klimatike.

Raporti ndalet veçanërisht në një fushatë të zhvilluar në Tiranë gjatë verës së vitit 2023 nga një ekip prej 10 vullnetarësh të Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë. Sensorë temperature u vendosën në makina dhe matjet u kryen në tre orare të ndryshme gjatë ditës, duke krijuar një hartë termike me rezolucion të lartë të qytetit. Diferenca midis lagjes më të nxehtë dhe asaj më të freskët arriti në 6.4°C.

Zonat urbane me më pak gjelbërim dhe më shumë sipërfaqe të betonizuara (rrugë, parkingje, ndërtesa) rezultuan shumë më të nxehta, ndërsa ato me më shumë pemë dhe bar ishin dukshëm më të freskëta. Alarmi vjen sidomos për lagjet me të ardhura më të ulëta, të cilat shpesh vuajnë edhe më shumë pasojat e ekspozimit ndaj nxehtësisë.

Raporti i Bankës Botërore i referohet gjithashtu projektit të Pyllit Orbital në Tiranë, i cili synonte mbjelljen e 2 milionë pemëve përreth qytetit. Deri më tani, sipas dokumentit, janë mbjellë vetëm rreth 300 mijë pemë deri në vitin 2019, duke lënë pezull pjesën më të madhe të planit.

Rreziku energjetik dhe presioni mbi infrastrukturën

Sipas Bankës Botërore, valët e të nxehtit po sfidojnë gjithashtu sistemet energjetike, duke zhvendosur kulmin e konsumit nga dimri në verë. Në Ballkanin Perëndimor – përfshi Shqipërinë – kulmi i kërkesës për energji tani po ndodh gjatë muajve të nxehtë, për shkak të përdorimit të gjerë të kondicionerëve dhe pompave të ujit.

Një shembull dramatik ishte vala e nxehtësisë e qershorit 2024, e cila shkaktoi ndërprerje të mëdha të energjisë në Mal të Zi, Kroaci, Bosnjë dhe Shqipëri. Temperaturat ekstreme ulën ndjeshëm efikasitetin e linjave të transmetimit dhe të aseteve të tjera energjetike.

Dokumenti nënvizon se përballja me këtë realitet të ri kërkon ristrukturim të politikave energjetike, investime në infrastrukturë më rezistente ndaj nxehtësisë dhe riplanifikim të hapësirave urbane, përfshirë më shumë gjelbërim dhe materiale ndërtimi që reflektojnë dritën.

Në fund, raporti jep një paralajmërim të qartë: qytetet që nuk përshtaten ndaj ndryshimeve klimatike do të përballen me pasoja gjithnjë e më të rënda, që përfshijnë jo vetëm rreziqe shëndetësore dhe sociale, por edhe ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik.