Numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare pësoi rënie të mëtejshme në tremujorin e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), numri i përdoruesve aktivë të këtyre shërbimeve arriti në 2.43 milionë, në rënie me 2.3% krahasuar me fundin e vitit 2024 dhe me 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia madje shënon edhe numri i përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjetet celulare. Numri i përdoruesve të internetit zbriti në 2.02 milionë, me një rënie prej 3.4% nga fillimi i vitit, por me një rritje të lehtë prej 0.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fakt, ulja e numrit të përdoruesve të telefonisë celulare duket të jetë edhe një tendencë afatgjatë. Në harkun e një dekade, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare ka rënë me më shumë se 28%.
Kjo mund të shpjegohet me faktorë të brendshëm të tregut, por ndoshta edhe me faktorë demografikë.
Numri i operatorëve celularë është ulur nga katër në dy, ndërkohë që është gjithnjë e më pak e përhapur që një përdorues të mbajë më shumë se një numër celular. Kjo tendencë ishte mjaft e përhapur afërsisht deri para një dekade, para të ndalohej diferencimi i çmimeve për thirrjet brenda rrjetit dhe ato jashtë rrjetit.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar numrin e përdoruesve në vitet e fundit është edhe marrëveshja për heqjen e tarifave roaming në vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se një pjesë e mirë e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga vendet fqinje, ata tashmë nuk e kanë më të nevojshme për të përdorur numra shqiptarë për komunikimin e tyre, gjatë kohës që ndodhen në Shqipëri.
Gjithmonë në horizontin afatgjatë, edhe tendencat demografike negative dhe tkurrja e popullsisë mund ta shpjegojnë pjesërisht rënien e numrit të përdoruesve aktivë.
Megjithatë, në periudha të veçanta rritja e fortë e turizmit hyrës e kompenson përkohësisht ndikimin e faktorëve të mësipërm. Turistët e huaj jashtë zonës së Ballkanit Perëndimor në përgjithësi përdorin karta SIM shqiptare gjatë periudhës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Gjatë tremujorit III 2024 numri i përdoruesve aktivë të shërbimeve celulare shënoi një rritje të fortë nga 2.52 milionë në 2.81 milionë. Por, në tremujorin IV 2024 numri i abonentëve aktivë shënoi menjëherë një rënie të fortë në 2.49 milionë, çka lë të kuptohet se turizmi ka një impakt të konsiderueshëm në numrin e përdoruesve aktivë të telefonisë celulare.
Nga ana tjetër, shifrat e konsumit të shërbimeve celulare vazhdojnë të tregojnë një tendencë afatgjatë të përqendrimit të këtyre shërbimeve tek interneti dhe rënien e shërbimeve të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara.
Për tremujorin e parë të vitit, trafiku i të dhënave (internetit) u rrit me 8.8% krahasuar me një vit më parë, ndërsa përdorimi mesatar mujor i të dhënave për përdorues u rrit me 8.6%.
Nga ana tjetër, totali i thirrjeve telefonike dalëse ra me 3.3%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara u tkurr me 4.8%. Këto shifra tregojnë se edhe komunikimi po zhvendoset gjithnjë e më shumë te aplikacionet OTT, të bazuara te interneti.