Evropa po përballet me një rritje të paprecedent të rasteve të sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat këtë vit, përfshirë ethet chikungunya dhe virusin e Nilit Perëndimor, duke krijuar një “normalitet të ri” për shkak të ndryshimeve klimatike, njoftoi sot Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Agjencia tha se sezonet e mushkonjave po zgjasin dhe intensifikohen, për shkak të faktorëve klimatikë si temperaturat më të larta, verat më të gjata, dimrat më të butë dhe ndryshimet në reshje, duke krijuar një mjedis të favorshëm për përhapjen e viruseve.
Drejtoresha e ECDC, Pamela Randi-Wagner, theksoi se Evropa po hyn në një fazë ku transmetimi i sëmundjeve nga mushkonjat bëhet më i gjatë, më i përhapur dhe më intensiv, duke u bërë një realitet i përhershëm.
Mushkonja që transmeton virusin chikungunya tani ndodhet në 16 vende evropiane dhe 369 rajone, nga 114 rajone sa ishin një dekadë më parë. Evropa ka regjistruar deri më tani 27 raste të chikungunya për vitin 2025, një rekord i ri për kontinentin
Nga 1 janari deri më 13 gusht, tetë vende evropiane raportuan 335 raste të transmetimit lokal të virusit të Nilit Perëndimor, me 19 vdekje, ndërsa Italia mbetet vendi më i prekur me 274 infeksione.
ECDC paralajmëron se rreziku për popullsinë europiane do të rritet dhe thekson rëndësinë e masave parandaluese, si iniciativat publike të koordinuara dhe mbrojtja personale.
Agjencia i bën thirrje banorëve të rajoneve të prekura të përdorin repelentë, të veshin rroba me mëngë të gjata dhe të instalojnë rrjeta kundër mushkonjave për të reduktuar rrezikun e pickimeve.
Ky trend i ri i sëmundjeve të transmetuara nga mushkonjat lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, duke nënvizuar nevojën për ndërhyrje të shpejta dhe masive në nivel evropian.