Edhe pse banorët vuajnë prej ditësh mungesën e ujit të pijshëm, në fshatin Xhyherinë të Njësisë Qendër, Bashkia Vlorë, dy banesa u përmbytën pasditen e së premtes si pasojë e daljes nga shtrati të një kanali vaditës.
Ngjarja e pazakontë ndodhi në oborret e familjeve të Petrit Prengës dhe Engjëllush Mehmetajt, ku uji i kanalit kaloi sipër shtratit të tij dhe përmbyti zonën përreth. Për fat të mirë, uji nuk ka hyrë brenda në banesat e tyre, por ka mbuluar të gjithë hapësirën rreth shtëpive, duke shkaktuar dëme materiale në një depo që përdorej për sende personale.
Banorët shprehen të indinjuar dhe të braktisur nga institucionet, ndërsa theksojnë paradoksin: “Na mungon uji për të pirë, por përmbytemi nga kanalet vaditëse. Është absurde!”Ndërkohë, nuk ka ende reagim nga bashkia apo autoritetet përkatëse për këtë incident, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për riparimin dhe pastrimin e kanalit që rrezikon të përsërisë situatën nëse reshjet shtohen.








