FLASH :

“Nuk kam një avion për t’ju dhuruar”, Ramaphosa i kthen përgjigje thumbuese Trump-it pasi e akuzoi për “gjenocid ndaj të bardhëve”

Presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi një skenë dramatike në Zyrën Ovale të mërkurën, teksa përballoi presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, me pamje dhe artikuj që, sipas tij, provonin një “gjenocid ndaj të bardhëve” në vendin e tij.

Ramaphosa mbërriti në Uashington me qëllimin për të përmirësuar marrëdhëniet me administratën Trump, pas një sërë vendimesh të ashpra nga ana e Shtëpisë së Bardhë: anulimi i ndihmës për Afrikën e Jugut, dëbimi i ambasadorit jugafrikan dhe ofrimi i azilit për minoritetin e bardhë afrikaner.

Trump ka pohuar vazhdimisht se në Afrikën e Jugut po zhvillohet një “gjenocid me bazë racore”, dhe këtë pretendim e ka mbështetur edhe udhëheqësi i kriptomonedhës DOGE, Elon Musk, i lindur në Afrikën e Jugut. Musk ishte i pranishëm mes gazetarëve në Zyrën Ovale gjatë takimit, në një skenë që ngjante me përballjen që pati më herët presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me Trump.

Në përpjekje për të qetësuar situatën, Ramaphosa i dhuroi Trump-it një libër mbi golfin dhe solli me vete golfistët e famshëm Ernie Els dhe Retief Goosen, si dhe miliarderin e luksit Johann Rupert. Por Trump e poshtëroi publikisht homologun e tij, duke kërkuar që dritat të zbeheshin dhe duke transmetuar pamje të përmbledhura nga fjalimet e liderit të partisë radikale EFF, Julius Malema, i njohur për thirrjet e tij “Qëlloni afrikanerin, qëlloni fermerin”.

Më tej, Trump nxori një grumbull artikujsh shtypi, përfshirë një shkrim të Daily Mail nga gazetarja Sue Reid, që fliste për arsyet pse shumë afrikanerë të bardhë po largohen nga dhuna dhe ligjet që ata i cilësojnë “raciste”. Në një pjesë të artikullit përshkruhet një fermer i bardhë që tani jeton në Arkansas, SHBA, ku fiton më shumë sepse politikat e “fuqizimit të të zinjve” në Afrikën e Jugut e kishin vendosur atë në fund të listës për punësim.

“Shihni këta artikuj – vetëm vdekje, vdekje, vdekje e tmerrshme,” tha Trump, ndërsa kthente faqet para kamerave. “Fermerë të bardhë po ikin për shkak të dhunës dhe ligjeve raciste”, lexoi ai nga titulli i gazetës, dhe ia dorëzoi artikujt Ramaphosës. “Ja ku janë varret. Janë kudo,” vijoi ai, duke pretenduar se kishte shfaqur pamje të monumentit Witkruis, i ndërtuar në nderim të fermerëve të bardhë dhe të zinj të vrarë gjatë sulmeve.

Ramaphosa reagoi, duke theksuar se Malema nuk përfaqëson politikat zyrtare të qeverisë. “Jemi një demokraci shumëpartiake dhe njerëzit kanë të drejtë të shprehen, edhe nëse nuk përputhen me linjën qeveritare. Qeveria jonë është totalisht kundër atyre që ai thotë,” u shpreh ai.

Por Trump nuk u tërhoq: “Po ju i lejoni të marrin tokën. Marrin tokën, vrasin fermerin e bardhë dhe s’ndodh asgjë.” Ai vijoi duke pyetur me ton sfidues: “Pse nuk e arrestoni këtë njeri? Ai tha ‘vritni fermerët e bardhë’ dhe pastaj kërceu.”

Ramaphosa u përpoq të sqarojë se dhuna në Afrikën e Jugut prek të gjitha racat dhe se më së shumti viktima janë vetë afrikanët e zinj.

Situata u bë më dramatike kur Trump u përplas edhe me gazetarin Peter Alexander të NBC News, i cili e pyeti pse Shtetet e Bashkuara po mirëpresin afrikanerë të bardhë, por jo refugjatë nga Afganistani dhe Venezuela.

“Kjo është NBC, një media e rreme,” reagoi Trump me zemërim. Kur gazetari e pyeti për një avion të Katarit të dhuruar për Departamentin e Mbrojtjes, Trump shpërtheu: “Po flas për fermerë të bardhë që po varrosen dhe ti më pyet për një avion? Duhet të të vijë turp. Je një gazetar i tmerrshëm.”

Ndërkohë presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, i tha presidentit Donald Trump: “Më vjen keq që nuk kam një avion për t’ju dhuruar,” gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë, pas një pyetjeje nga një gazetar i NBC-së. Trump u përgjigj duke theksuar se, ashtu si Katari që i dhuroi një avion luksoz Shteteve të Bashkuara, ai do ta pranonte një avion nga Afrika e Jugut nëse ata do t’ia ofronin.

Takimi përfundoi me tensione të forta dhe pa asnjë pajtim të dukshëm mes dy liderëve.