Nga Maksi Çami
E kam një pyetje të thjeshtë, që mban brenda një të vërtetë të hidhur: Nëse votuesit e Partisë Demokratike janë realisht të djathtë, atëherë pse nuk votuan për Jonathan Panon? Nuk është thjesht një mungesë votash. Është një akt i zbuluar refuzimi. Një shpullë e heshtur për një djalë të ri që mishëronte vlerat që thuhet se përfaqëson e djathta: identitet, familje, fe, liri individuale, patriotizëm moral e jo folklorik. Por kur lista e mbyllur ishte e blinduar nga mamuthët e PD nuk kishte mundësi reale gare që një i djathtë të votonte me mendje e ndërgjege për figurëat më dinjitoze të PD. Patjeter, Tabaku e Alimehmeti treguan veten, karizmen dhe kapitalin e tyre politik, por vota brenda PD shkoi kryesisht tek lista e mbyllur Berisha.
Dhe kjo na çon te e vërteta që shumë nuk duan ta dëgjojnë: votuesit e PD nuk janë votues të djathtë. Janë thjesht berishistë. Djali i pastorit të famshëm ungjillor, Akil Pano, një nga figurat më koherente të konservatorizmit moral në Shqipëri, Jonathan Pano është më shumë se një emër në listë. Ai është simboli i asaj që e djathta duhet të ishte sot: një i ri me formim religjioz, me bindje të thella për rendin natyror të gjërave, për vlerën e jetës, për lirinë e fesë dhe lirinë e tregut. Një profil që në çdo vend normal të botës do të ishte frymëzim për konservatorët, një votë natyrale për ta. Por jo në Shqipëri. Këtu, lista u hap për herë të parë dhe votuesit e vetëquajtur “të djathtë” zgjodhën të votonin me militantizëm, jo me ndërgjegje. Votuan për nostalgjinë, jo për të ardhmen.
Pyetja është brutale: Si mund të shpërfillësh një kandidat të tillë, nëse je vërtet i djathtë? Nëse beson në familje, në Zotin, në treg të lirë, si është e mundur që preferon servilët e vjetër të sistemit të vjetër përpara një të riu që flet për parime? Përgjigjja është po aq brutale: sepse shumica nuk janë votues të djathtë janë fansa të një njeriu, jo të një ideje. Berishizmi nuk është vetëm ideologji, është identitet plebishitar.
Nëse sheh me kujdes se cilët kandidatë përfitojnë nga “votat preferenciale” në listat e PD-së (ose më saktë të pjesës së saj që mban flamurin Berisha), shikon gjithmonë të njëjtën skemë: besnikëri emocionale ndaj figurës së Sali Berishës, jo ide politike, jo vlera, jo përmbajtje. Njerëzit nuk votojnë më për të djathtën si koncept. Votojnë për “doktorin”, për “babanë e opozitës”, për “armikun e Ramës”. Votojnë për zemërim, jo për zgjidhje. Për mitin, jo për doktrinën.
Në këtë skemë, nuk ka vend për njerëz si Jonathan Pano. Sepse ai nuk është pjesë e mitologjisë së vjetër. Ai nuk ka zë në historitë e gjata të tranzicionit, nuk ka qenë pjesë e “luftës”, nuk ka ngritur grushtin nga podiumi, nuk ka bërë selfie me flamur. Ai nuk thërret, nuk shahet, nuk ulëret në televizione. Ai thjesht është një i ri që flet për Zotin, për punën, për përgjegjësinë. Dhe kjo, në sytë e një elektorati të verbuar nga kultet, është një dënim me harresë.
Po ta mendosh, është pothuaj groteske. Për dekada, e djathta shqiptare është vetë-identifikuar si mbrojtëse e fesë, e moralit, e trashëgimisë muslimane e kristiane të shqiptarëve, si kundërpeshë ndaj sekularizmit të majtë, ndaj relativizmit moral, ndaj sulmit të vlerave tradicionale. Dhe pastaj, vjen një djalë i rritur në një familje religjioze, i formuar me idealet biblike të shërbesës dhe përkushtimit qytetar dhe nuk merr votë. Jo sepse ka bërë ndonjë gabim. Por sepse nuk është pjesë e lukunisë së vjetër.
Në çdo vend tjetër, partia që përpiqet të jetë “konservatore” do të vinte përpara figurën e një të riu që përfaqëson ndërgjegjen fetare të komunitetit. Nëse një djalë i ri, i devotshëm, i edukuar, me rrënjë të thella në traditë nuk arrin të motivojë votuesit e asaj që quhet “kampi i vlerave”, atëherë ne nuk kemi kamp vlerash. Kemi kamp emocionesh dhe hakmarrjesh.
Sali Berisha e tradhtoi Jonathan Panon. Jo me fjalë, por me heshtje. Me mospërfillje. Me ftohtësinë strategjike që ruan për këdo që nuk është pjesë e kastës së tij të vjetër dhe besnike. Nuk e promovoi në asnjë rast. Nuk e mori me vete në asnjë miting. Nuk i shkoi në zonën elektorale. Nuk e shpalli si të ardhmen e së djathtës. Dhe ky nuk është harresë, por qëllim i qartë politik. Berishës nuk i interesojnë fytyrat e reja me moral dhe integritet. Atij i intereson vetëm kasta e vjetër njerëzit e konsumuar, të kapur, të bindur, ata që do t’i përkulen gjithmonë me servilizëm, edhe kur ai është pa fuqi, edhe kur e çon partinë drejt greminës. Në sytë e tij, një djalë si Jonathan Pano është i panevojshëm: nuk është mercenar, nuk është “i tij”. Ai është i lirë. Dhe kjo është e papranueshme në një sistem që ndërtohet mbi përuljen, jo mbi meritat. Kështu e refuzoi Berisha të ardhmen e vetme të ndershme që kishte përpara. Dhe kështu e mbuloi e djathta shqiptare, edhe një herë, shpresën e vet me pluhurin e së shkuarës.