FLASH :

“Nuk e duan më turmën e rrëmujshme”: Pse Europa po ngrihet kundër turizmit masiv

Nga protestat në rrugët e Spanjës, bllokimi i një dasme miliarderësh në Venecia, deri te mbyllja e Luvrit për shkak të mbipopullimit, qytetet më të famshme të Europës po përballen me një valë zemërimi ndaj turizmit masiv. Fenomeni që dikur shihej si motor ekonomik, po perceptohet gjithnjë e më shumë si një kërcënim për jetesën urbane dhe identitetin lokal.

Noel Josephides, një prej figurave më me ndikim në turizmin europian, që prej viteve ‘70 udhëheqës i agjencisë britanike Sunvil, kishte paralajmëruar që në 2013 se kombinimi i linjave ajrore low-cost me shpërthimin e platformave si Airbnb do të krijonte një “stuhi perfekte”. “E thashë që atëherë: kjo do të dalë jashtë kontrollit,” kujton ai.

Protestuesit kanë të njëjtin shqetësim: qytetet janë kthyer në vende të pabanueshme. Në Barcelonë, Maite Domingo Alegre thotë se nuk dëgjon më kambanat e kishave për shkak të zhurmës nga turistët. Çmimet e qirasë janë rritur, dyqanet janë kthyer në pika shitjeje për të huajt dhe banorët po largohen masivisht. Në Venecia, artisti Ornello ndjehet si një “astronaut” në qytetin e tij – një vizitor mes turmave që nuk pushuan kurrë së ardhuri.

Në Palma, autoritetet kanë vendosur një tavan për krevatet hotelierë dhe ndaluan Airbnb në ndërtesat rezidenciale të qytetit. Disa hotele të vjetra do të blihen dhe do të shndërrohen në parqe apo banesa për vendasit. “Duhet të vendosim banorët në qendër të modelit turistik,” thotë drejtori i turizmit Pedro Homar.

Por jo të gjithë janë të barabartë në këtë debat. “Nuk e duan më turmën e rrëmujshme,” thotë Josephides. “Tingëllon keq, por kjo është e vërteta. Të gjithë kanë të drejtë për pushime, por nëse një destinacion nuk ka më kapacitet, duhet të vendosë kush është i mirëpritur.”

Ekspertët thonë se shërimi i qyteteve do të kërkojë kohë. Modele të reja po testohen, si promovimi i destinacioneve më pak të njohura (“99% e Italisë” është një fushatë e tillë), ulje për turistët që eksplorojnë zona historike jashtë qendrave, apo ndalesa për anijet turistike.

Megjithatë, nuk është një luftë kundër turistëve, por një përpjekje për ta bërë turizmin më të qëndrueshëm. Siç thotë një profesore në Spanjë: “Zgjidhja nuk është ta refuzojmë turizmin, por ta bëjmë më përfshirës dhe më të respektueshëm.” Dhe siç paralajmëron Josephides, është më lehtë të kontrollosh rritjen sesa të riparosh dëmin.