Një hotel luksoz në Velipojë të Shkodrës është vënë nën hetim penal nga Prokuroria, pas kallëzimit të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pasi ka rezultuar se nuk kishte deklaruar rreth 2.3 milionë euro të ardhura gjatë pesë viteve të fundit (2020–2025), duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar për buxhetin e shtetit. Në kuadër të Planit Operacional të Turizmit, administrata tatimore ka zhvilluar një kontroll të befasishëm në këtë subjekt, duke zbuluar shkelje të rënda dhe një skemë të dyshuar për fragmentarizim artificial të biznesit për të shmangur detyrimet fiskale.
Hoteli, i cili operonte me 52 dhoma, rezultoi se ishte regjistruar me dy NIPT-e të ndryshme, në emër të dy personave me lidhje familjare, duke krijuar përshtypjen e ndarjes së rreme të aktivitetit. Tatimet konstatuan gjithashtu se mbi 20 dhoma për secilin NIPT nuk ishin të regjistruara, nuk lëshoheshin fatura tatimore dhe kishte punonjës të padeklaruar, në shkelje të ligjit. Për këto shkelje, u vendosën gjoba prej 25 mijë lekësh për moslëshim fature dhe 50 mijë lekë për punonjës të padeklaruar. Autoritetet tatimore shpërndanë edhe një video të aksionit në rrjetet sociale, ndërsa paralajmëruan se kontrollet do të vijojnë me intensitet në zonat turistike, në luftë të hapur kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.