FLASH :

Njihuni me robotin që ‘magjepsi’ Gjermaninë – dhe që do të zëvendësojë punëtorët shumë shpejt

Carrie King and Ben Morris                                                                                                                    BBC News

Hanover, Gjermani – Një mëngjes i ndritshëm pranvere dhe unë jam rrugës për të takuar një robot.

Kam marrë një ftesë për të parë nga afër G1, një robot humanoid i ndërtuar nga kompania kineze Unitree, i cili po prezantohet në Hannover Messe – një nga panairet më të mëdha të teknologjisë industriale në botë.

Me një lartësi prej 130 cm, G1 është më i vogël dhe më i përballueshëm se robotët e tjerë humanoidë në treg. Aftësia e tij për të lëvizur në mënyrë të rrjedhshme dhe me shumë finesë ka bërë që video ku ai kërcejnë apo performon arte marciale të bëhen virale.

Sot, G1 po kontrollohet në distancë nga Pedro Zheng, menaxher shitjesh në Unitree. Ai shpjegon se çdo klient duhet ta programojë vetë robotin për funksione autonome.

Kalimtarët ndalojnë për t’u angazhuar me G1 – një reagim që nuk vihet re për makineritë e tjera të ekspozuara në sallat e mëdha të panairit. Ata i japin dorën, i afrohen me lëvizje të befasishme, qeshin kur ai përkulet apo përshëndet, e madje kërkojnë falje nëse përplasen me të. Pavarësisht ngjashmërisë së çuditshme me njeriun, forma e tij duket se i bën njerëzit të ndihen më të qetë.

Unitree është vetëm një nga dhjetëra kompani që po zhvillojnë robotë me formë njerëzore. Potenciali është i madh – për industrinë, ai premton një forcë punëtore që nuk kërkon pushime apo rritje page. Në shtëpi, mund të bëhet pajisja ideale për pastrimin apo larjen e enëve.

Por teknologjia është ende larg të qenit gati për përdorim të gjerë. Në ambiente të kontrolluara si fabrika, robotët kanë dekada që përdoren. Por futja e një roboti humanoid në një mjedis të paparashikueshëm si një shtëpi apo restorant mbetet një sfidë serioze.

Për të qenë funksionalë, robotët humanoidë duhet të jenë të fuqishëm – por kjo i bën edhe të rrezikshëm, pasi një rrëzim në kohën e gabuar mund të jetë i dëmshëm.

Sipas një zëdhënësi të Unitree për BBC, “AI ende nuk ka arritur një pikë kthimi.” Ata shtojnë se për momentin, inteligjenca artificiale e robotëve ka vështirësi me logjikën bazë dhe zgjidhjen e detyrave komplekse në mënyrë të arsyetuar.

G1 aktualisht u shitet institucioneve kërkimore dhe kompanive teknologjike, të cilat mund të përdorin softuerin me burim të hapur të Unitree për zhvillim të mëtejshëm. Për momentin, fokusi është në robotët humanoidë për përdorim në fabrika dhe magazina.

Elon Musk është ndër emrat më të njohur në këtë fushë – kompania e tij Tesla po zhvillon robotin Optimus. Në janar, ai deklaroi se “mijëra” robotë do të prodhohen këtë vit për të kryer detyra të dobishme në fabrikat e Tesla-s.

Edhe prodhues të tjerë makinash ndjekin këtë rrugë. BMW ka futur robotë humanoidë në një fabrikë në SHBA, ndërsa Hyundai në Korenë e Jugut ka porositur dhjetëra mijëra robotë nga kompania Boston Dynamics, të cilën e bleu në 2021.

Thomas Andersson, themelues i firmës kërkimore STIQ, ndjek 49 kompani që zhvillojnë robotë me dy këmbë e dy duar – nëse përfshihen dhe ata me rrota, numri shkon mbi 100. Ai beson se Kina do të dominojë këtë treg, për shkak të zinxhirit të furnizimit dhe lehtësisë për zhvillim të shpejtë që ofron vendi.

Unitree ofron një avantazh të qartë: G1 kushton vetëm 16,000 dollarë – shumë më lirë se konkurrentët.

Sipas një raporti të STIQ, rreth 60% e financimeve për robotët humanoidë janë siguruar në Azi. Për më tepër, kompanitë kineze mbështeten fort nga shteti – në Shangai, për shembull, funksionon një qendër shtetërore për trajnimin e robotëve.

Po si mund të konkurrojnë SHBA dhe Evropa?

Britaniku Bren Pierce, themelues i kompanisë Kinisi në Bristol, sapo ka lançuar robotin KR1. Edhe pse është projektuar në Britani, ai do të prodhohet në Azi.

“Aktualisht, duhet të blesh motorët, bateritë dhe komponentët nga Kina. Pra, pse të mos e bësh të gjithë prodhimin aty?” pyet ai.

KR1 është projektuar për ambiente industriale dhe nuk ka këmbë – është i montuar mbi rrota, si shumë robotë magazinash. Për të ulur koston, Pierce përdor pjesë standarde që janë lehtësisht të disponueshme në treg.

Ai beson se “salca sekrete” është softueri: KR1 mëson pas 20-30 përsëritjesh të një veprimi nga një punonjës.

Robotët KR1 do të testohen nga klientët këtë vit. Por a do të shohim robotë në shtëpitë tona? Edhe vetë Pierce, i cili ka ëndërruar për “robotin që bën gjithçka”, thotë se kjo është ende shumë larg.

“Besoj se do të arrijmë atje, por jemi të paktën 10 deri në 15 vite larg,” thotë ai.