FLASH :

Njësoj si Lorik Cana, Granit Xhaka kapiten i Sunderland! E konfirmon trajneri Le Bris

Granit Xhaka do jetë kapiteni i Sunderland në Premier League, gjë e konfirmuar nga trajneri Le Bris.

Granit Xhaka ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij dhe menjëherë me peshë. Mesfushori shqiptar, i cili u transferua këtë verë nga Bayer Leverkusen te Sunderland, është emëruar kapiten i skuadrës angleze, tashmë pjesë e Premier League.

Xhaka u pa me shiritin e kapitenit në miqësoren ndaj Real Betis dhe lajmi u konfirmua pas ndeshjes edhe nga trajneri i Sunderland, Regis Le Bris.

“Na duhet maturi, kualitet, vazhdimësi dhe përvojë, Graniti i ka të gjitha”, u shpreh Le Bris. “Ai e bën lojën më të lehtë për të tjerët përreth. Me shumë mundësi, kapiteni ynë për sezonin e ri do të jetë pikërisht Xhaka.”

32-vjeçari me një karrierë të gjatë në Premier League te Arsenal dhe së fundmi kampion në Bundesliga me Leverkusen, vendosi të rikthehet në Angli, pavarësisht interesimit të disa klubeve evropiane.

Sunderland investoi rreth 20 milionë euro për kartonin e tij, në atë që cilësohet si një nga blerjet më të rëndësishme të klubit në dekadën e fundit. Kujtojmë se në sezonin 2009-10 shiritin e kapitenit e mbante edhe Lorik Cana.