FLASH :

“Një talent kreativ dhe shpërthyes”, Eze firmos për Arsenalin

Arsenal ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit anglez, Eberechi Eze, nga Crystal Palace.

Topçinjtë kanë arritur marrëveshjen prej 60 milionë paundësh, ku përfshihen edhe 8 milionë në formë bonusesh, për 27-vjeçarin që bëhet përforcimi i shtatë i kësaj vere.

Eze kishte qenë një nga objektivat kryesorë të Tottenhamit gjatë merkatos, madje ‘Spurs’ kishin arritur akord si me lojtarin ashtu edhe me Crystal Palace. Megjithatë, rivalët e veriut të Londrës ndërhynë të mërkurën dhe futbollisti, që ka qenë tifoz i Arsenalit që fëmijë, zgjodhi të ribashkohet me klubin ku nisi karrierën në akademinë e të rinjve.

Drejtori sportiv Andrea Berta e përshkroi Eze si një “talent kreativ dhe shpërthyes, me cilësi të mëdha teknike”.

Ndërkohë, trajneri Mikel Arteta u shpreh:

“Është një lojtar i fuqishëm dhe emocionues që do t’i japë një dimension të ri lojës sonë sulmuese. Ajo që bie po aq në sy sa talenti dhe inteligjenca e tij në fushë, është mënyra se si ka punuar fort gjatë gjithë karrierës për të arritur këtu ku është sot.

Rruga e tij, mentaliteti dhe ambicia janë pikërisht ato që duam në skuadrën tonë dhe na pëlqen shumë fakti se sa shumë do të thotë për të dhe për familjen e tij bashkimi me klubin tonë.”