FLASH :

Një në 10 fëmijë në Gaza është i kequshqyer dhe shifrat vazhdojnë të rriten

Një krizë humanitare po thellohet çdo ditë në Gaza. Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA), një në çdo 10 fëmijë nën 5 vjeç që është kontrolluar në klinikat e tyre që nga janari 2024, është diagnostikuar me kequshqyerje.

“Këto nuk janë më statistika që i lexojmë në libra shkollorë apo i shohim në dokumentarë, janë fëmijë të vërtetë, që po vuajnë përpara syve tanë,” tha Juliette Touma, drejtoresha e komunikimit e UNRWA.

Kequshqyerja, që më parë ishte rast i rrallë në Rripin e Gazës, është kthyer në realitet të përditshëm që prej marsit, kur rrethimi ndaj zonës u përshkallëzua. Që nga ajo kohë, furnizimet me ilaçe, ushqim, karburant dhe produkte bazë po shterojnë me ritme alarmante.

UNRWA raporton se ka kryer mbi 240,000 kontrolle për fëmijët nën 5 vjeç, ndërsa më 19 maj u hoq pjesërisht një bllokadë 11-javore e ndihmave. Megjithatë, dërgesat e OKB-së janë ende të kufizuara dhe nuk i përgjigjen nevojave urgjente në terren.