Një miliard në pesë vjet dhe 350 milionë euro për Real Madridin, oferta e çmendur arabe për Viniciusin

Arabia Saudite nuk po heq dorë nga Vinicius Zhunior. Pavarësisht lidhjeve të forta të brazilianit me Real Madridin dhe dëshirës së tij për të zgjatur kontratën e tij përtej vitit 2027, sipas talkSPORT , zyrtarët e Ligës Profesionale Saudite po përgatisin një ofertë marramendëse në përpjekje për të bindur klubin dhe lojtarin.

Sauditët thuhet se po shqyrtojnë një strategji edhe më agresive se ajo e para, t’i ofrojnë Real Madridit 350 milionë euro për 25-vjeçarin, me një kontratë pesëvjeçare me vlerë 1 miliard euro.

Qëllimi do të ishte që Vinicius të bëhej lojtari më i shtrenjtë në histori, duke tejkaluar rekordin e Nejmar te PSG (222 milionë euro në vitin 2017) dhe ofertën prej 300 milionë eurosh për Mbape që PSG e refuzoi në vitin 2023.

Pavarësisht një sezoni të komplikuar nga mbërritja e Mbapes, Vinicius e përfundoi sezonin 2024-25 me shifra mbresëlënëse: 22 gola dhe 19 asiste në 59 ndeshje. Megjithatë, sezoni i Real Madridit ishte zhgënjyes, pa sukses në La Liga ose në Ligën e Kampioneve. Me rolin e tij si “ylli i parë” në dyshim dhe negociatat për rinovimin e kontratës të bllokuara, Arabia Saudite dëshiron të përfitojë nga kjo.