Situata e zjarreve në Gramsh ka marrë përmasa tragjike. Në fshatin Bulçar, një grua bashkë me dy fëmijët e saj ka mbetur e izoluar në një fermë dhe nuk di nga të shkojë për të shpëtuar.
Ekipet e emergjencave civile që u nisën për të evakuuar banorët janë bllokuar nga flakët. Deri më tani, është konfirmuar një viktimë, ndërsa zjarrfikësit dhe forcat e tjera po përpiqen të hapin rrugë për të shpëtuar të bllokuarit. Ende nuk dihet numri i saktë i personave që mund të kenë mbetur të izoluar, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet ekstrem.
Urdhër evakuimi në Gramsh
Është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.
Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.
Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.