Një grua trans, Ellie Waple, është lejuar të kandidojë për një nga vendet e rezervuara për gratë me aftësi të kufizuara në Këshillin Kombëtar Ekzekutiv të sindikatës më të madhe në Britani, Unison, pavarësisht një vendimi të fundit nga Gjykata e Lartë që përcakton se termi “grua” në Aktin për Barazinë i referohet një “gruaje biologjike”.
Waple, një teknik IT autike, e apasionuar pas trenave dhe me bindje socialiste, është anëtare e degës së Unison në Surrey. Ajo ka lindur e verbër dhe gjithashtu vuan nga paraliza cerebrale.

Në deklaratën e saj për kandidaturë, ajo kritikoi Partinë Laburiste, duke e akuzuar se “po tregon gjithnjë e më shumë se nuk mbështet klasën punëtore”. Ajo premton të ndërtojë një “lëvizje që lufton kundër agjendës së luftës dhe shtrëngesës së Keir Starmer”.
Kandidatura e saj vjen pas një vendimi të rëndësishëm të Gjykatës së Lartë në Britani, ku u sqarua se, sipas Aktit për Barazinë, fjala “grua” i referohet një gruaje biologjike. Si pasojë, Komisioni për të Drejtat e Barabarta dhe të Njeriut publikoi udhëzime të përkohshme, duke deklaruar se gratë trans “nuk duhet të lejohen të përdorin ambientet e grave” në vendin e punës apo në shërbime publike.
Megjithatë, Unison deklaroi se është duke shqyrtuar me kujdes pasojat e këtij vendimi. Në deklaratën e saj, sindikata theksoi:
“Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk duhet interpretuar si një fitore e një grupi në dëm të një tjetri. Unison do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e grave, të personave trans dhe të komunitetit LGBT+ në vendin e punës.”
Sindikatat, sipas Unison, nuk duhet të reagojnë në mënyrë të tepruar ndaj këtij vendimi dhe do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për të gjithë anëtarët që mund të ndihen të pasigurt nga kjo situatë e re ligjore.

Waple, nga ana e saj, e ka bërë të qartë se, nëse zgjidhet, do ta pranojë vendin në Këshill. Në një deklaratë për The Telegraph, ajo tha:
“Rreziku më i madh për të drejtat e grave nuk janë personat trans, por ai 1 për qind i super të pasurve që refuzojnë të financojnë realisht strehimin, shërbimet për gratë dhe viktimat e dhunës në familje.Vendimi antidemokratik dhe i pakontrollueshëm i Gjykatës së Lartë i shërben një narrative të rreme që paraqet personat trans si kërcënim për gratë dhe vetëm sa rrit klimën e frikës mes komunitetit trans.”
Unison e ka cilësuar këtë çështje si pjesë e një procesi të brendshëm zgjedhor dhe në përputhje me rregullat e saj të kahershme.







