FLASH :

Një fuqi e fshehur në Lindjen e Mesme

Si opinioni publik arab pengon normalizimin me Izraelin

Kur Izraeli nisi të normalizonte marrëdhëniet me disa nga fqinjët e tij në vitin 2020, si pjesë e Marrëveshjeve të Abrahamit të ndërmjetësuara nga SHBA, shumë analistë filluan të pyesnin nëse çështja palestineze kishte ende rëndësi për botën arabe. Dyshimet u thelluan në fund të vitit 2023, kur u duk se edhe Arabia Saudite mund të bashkohej me marrëveshjen, duke pranuar normalizimin me Izraelin pa kërkuar krijimin e një shteti të pavarur palestinez në këmbim.

Fushata ushtarake izraelite në Gaza, e cila pasoi sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, shkaktoi zemërim të madh ndërkombëtar për shkak të shkallës së dhunës ndaj civilëve palestinezë dhe bllokadës izraelite ndaj ndihmave humanitare. Megjithëse palestinezët në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Izrael kanë përjetuar dhunë dhe privime prej dekadash, kundërshtimi arab ndaj okupimit izraelit rrallë ka qenë faktor vendimtar në konflikt. Duke marrë parasysh nivelin e paprecedentë të shkatërrimit në këtë përplasje të fundit, shumë vëzhgues parashikuan që zemërimi popullor në shtetet arabe do të shkaktonte ndryshime të ndjeshme në retorikën dhe politikat qeveritare.

Por disa studiues argumentuan të kundërtën: se ngjarjet e 7 tetorit dhe pasojat e tyre e dobësuan më tej kauzën palestineze, duke vënë në dukje se ajo është zhdukur kryesisht nga agjenda ndërkombëtare. Si shembull përmendet fakti që asnjë nga vendet arabe që kanë nënshkruar traktate paqeje me Izraelin nuk i ka shkëputur ato. Po ashtu, gjatë udhëtimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, çështja palestineze nuk u vu në qendër të diskutimeve, të zëvendësuar nga interesat ekonomike të palëve. Për disa, zemërimi popullor arab ndaj luftës dukej si “qeni që nuk leh” – pra mungesa e një reagimi konkret.

Megjithatë, ky këndvështrim anashkalon një realitet kyç. Sipas sondazheve tona në rajon, opinioni publik arab ka ndryshuar – dhe në mënyra që kanë ndikuar sjelljen e regjimeve arabe. Edhe pse interesat thelbësore të këtyre shteteve nuk kanë ndryshuar ndjeshëm për shkak të konfliktit në Gaza, politikat e jashtme të tyre janë frenuar nga zemërimi në rritje i qytetarëve për ofensivat izraelite. Pasi Izraeli nisi fushatën e tij në Gaza, procesi i normalizimit arabo-izraelit u ndal. Gjatë vizitës së Trump në Arabinë Saudite, zgjerimi i Marrëveshjeve të Abrahamit nuk ishte pjesë e axhendës. Edhe pse disa qeveri arabe vijojnë të shpresojnë në afrimin me Izraelin për interesa strategjike, ato nuk mund të ecin përpara për shkak të kundërshtimit publik. Mungesa e përparimit është pikërisht “qeni që nuk leh” i vërtetë.