Në një ceremoni të mbajtur në sallën historike të kurorëzimeve në Aachen, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të Karlit të Madh – një nga vlerësimet më prestigjioze për kontributin në bashkimin evropian. Në fjalimin e saj, Von der Leyen bëri thirrje për një fazë të re në historinë e kontinentit: ndërtimin e një “Evrope të pavarur”.
“Epoka e ardhshme e madhe, projekti ynë i ardhshëm unifikues, duhet të jetë një Evropë e pavarur”, deklaroi ajo, duke nënvizuar nevojën që kontinenti të marrë përgjegjësitë e veta përballë kaosit ndërkombëtar dhe kërcënimeve gjeopolitike në rritje.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, në fjalën hyrëse, theksoi se Von der Leyen i ka dhënë “një zë evropian” botës në kohë të turbullta, duke e përshkruar Bashkimin Evropian si “projekt paqeje” që duhet të jetë i fortë brenda dhe jashtë kufijve të tij. Ai u zotua se Gjermania do të marrë vendime largpamëse në samitin e NATO-s në qershor për të forcuar sigurinë e kontinentit dhe marrëdhëniet transatlantike.
Von der Leyen paralajmëroi për përkeqësimin e rendit ndërkombëtar, të kërcënuar nga “luftëra dhe përpjekje perandorake për pushtet”, ndërsa i bëri thirrje Evropës “të marrë çështjet në duart e veta”. Mesazhi i saj për një Evropë më të bashkuar, më të fortë dhe më të pavarur u mbështet edhe nga Mbreti Felipe VI i Spanjës, i cili kritikoi idetë për shpërbërjen e BE-së dhe theksoi rëndësinë e unitetit europian për lirinë dhe sovranitetin e qytetarëve të saj.
Çmimi i Karlit të Madh, i dhënë që prej vitit 1950, këtë vit shoqërohet për herë të parë me një fond prej një milion euro, që do të investohet në projekte pro-evropiane. Fjalët e Von der Leyen dhe mbështetja nga liderët evropianë e bëjnë të qartë se përballë krizave globale, Evropa synon të ripozicionohet si një aktor i fuqishëm, autonom dhe i bashkuar në skenën botërore.









