FLASH :

Një 15-vjeçar hakeroi SHISH, vihet nën hetim pas një muaji

Një adoleshent 15-vjeçar nga Vlora ka arritur të depërtojë në e-mailet dhe faqet zyrtare të disa institucioneve shtetërore, duke shkaktuar ndërprerje të funksionimit të tyre. Pas një hetimi njëmujor, ai është identifikuar dhe vënë në hetim.

Sipas burimeve policore, i mituri dyshohet se gjatë muajit mars 2025 ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike të institucioneve si Parlamenti i Shqipërisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), por pa vjedhur të dhëna apo dokumente konfidenciale.

Operacioni “The Accountant”, i zhvilluar nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Kibernetike, çoi në sekuestrimin e disa pajisjeve elektronike, për të cilat pritet një ekzaminim teknik i thelluar. Mes pajisjeve të sekuestruara janë 5 laptopë, 6 celularë dhe një dron.

Një aspekt që po shqyrtohet nga hetuesit është mundësia që adoleshenti të jetë shtyrë nga persona të tjerë për të kryer këto veprime. Sipas gazetarit të Top Channel, Mikel Marsi, 15-vjeçari vuan nga çrregullimi i spektrit të autizmit, fakt ky që mund të ketë ndikuar në motivet dhe aftësinë e tij për të realizuar sulmin kibernetik.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, mbetet e paqartë nëse ka pasur një planifikim më të gjerë pas këtij akti apo nëse adoleshenti ka vepruar i pavarur.