FLASH :

Nisin pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë – Marrëveshja hyn sot në fuqi, përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë

Nga sot, më 1 korrik, ka hyrë në fuqi marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës mes Shqipërisë dhe Italisë, duke i hapur rrugë përfitimit të pensioneve për qindra mijëra qytetarë që kanë punuar në të dy vendet. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 500 mijë shqiptarë pritet të përfitojnë nga kjo marrëveshje, e cila mbulon pensionet e pleqërisë, përfitimet për sëmundjet dhe sigurimet për papunësinë.

Në praktikë, kjo nënkupton se vitet e punës të kryera në Shqipëri dhe Itali mund të bashkohen, duke i dhënë mundësi qytetarëve të marrin pension edhe nëse nuk kanë përmbushur kushtin minimal të viteve të punës në një vend të vetëm. Në Itali kërkohen minimumi 20 vite punë për përfitim pensionesh, ndërsa në Shqipëri 15 vite – por marrëveshja i kapërcen këto kufizime.

Kostoja për shtetin italian, sipas vendimit të Senatit, përllogaritet në 51.6 milionë euro për vitin 2025 dhe parashikohet të arrijë në 270 milionë euro deri në vitin 2032. Marrëveshja përfshin edhe afro 4 mijë shtetas italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Procesi i bashkimit të periudhave të sigurimeve do të bëhet nga ISSH dhe homologu i tij italian, IMS, përmes shkëmbimit të të dhënave institucionale.