Pas mbylljes së qendrave të votimit, në Shqipëri ka nisur ajo që mund të quhet pa asnjë dyshim një nga proceset më primitive dhe torturuese të numërimit të votave në Europë. Me një ritëm të ngadaltë dhe të centralizuar deri në absurditet, procesi kërkon që kutitë e votimit të transportohen nga çdo qendër drejt KZAZ-ve përkatëse në nivel qarku, për t’u grumbulluar dhe për të nisur më pas seanca të zgjatura numërimi, shpesh të bllokuara nga sherre politike, pazare dhe tensione mes komisionerëve.
Ndryshe nga vendet fqinje, si Kosova apo Italia, ku numërimi fillon menjëherë pas përfundimit të votimit dhe rezultatet dalin brenda natës ose në më pak se 24 orë, në Shqipëri procesi është i gjatë, i rënduar dhe shpesh i mbërthyer nga konflikte të brendshme politike. Rezultatet përfundimtare në disa raste kanë ardhur pas ditësh — madje në zgjedhje të mëparshme, edhe pas javësh.
Ky sistem arkaik i numërimit jo vetëm që e vonon transparencën dhe deformon perceptimin publik mbi rezultatin, por shërben si mjet kontrolli për partitë politike, të cilat përdorin ngadalësinë e procesit për të ushtruar presion dhe për të fituar terren kur ndihen në humbje.
Në vend që të ecim përpara me teknologji moderne dhe sistem elektronik, Shqipëria vijon të mbahet peng i një modeli të dështuar, që lodh komisionerët, irriton qytetarët dhe nxjerr zgjedhjet jashtë standardeve të kohës.





