FLASH :

Nis hetimi për një skemë investimesh piramidale, thirrje qytetarëve për kujdes

Policia e Shtetit ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale përmes platformave online. Hetimi ka nisur bazuar në informacionet e siguruara, njoftoi policia, dhe po vijon puna intensive për dokumentimin ligjor.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla. Ato premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.

“Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP”, njoftoi policia.

MËNYRAT E FUNKSIONIMIT TË MASHTRIMIT

Platforma TXEX përdor:

•Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);
•Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, WhatsApp, Signal;
•Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;
•Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;
•Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.

AKSK paralajmëron qytetarët shqiptarë se përfshirja në këtë platformë sjell:

• Humbje financiare të parikuperueshme;
• Rrezik të lartë për cënimin e privatësisë dhe identitetit digjital;
• Mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.

Qytetarët duhet të kenë parasysh se:

1.Asnjë subjekt i palicencuar nuk ka të drejtë të ofrojë shërbime financiare apo investimi në Shqipëri;
2.Premtimet për fitime të shpejta dhe të garantuara janë indikator klasik i mashtrimeve online;
3.Asnjë platformë e ligjshme nuk kërkon pagesa shtesë apo të dhëna personale për tërheqjen e fondeve.

Për të mbrojtur veten dhe të tjerët, AKSK u bën thirrje qytetarëve që:

• Të mos kryejnë transaksione financiare me këtë platformë;
• Të mos ndajnë të dhëna personale sensitive me subjekte të panjohura;
• Të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta.

Përveç TXEX janë dhe 2 platforma të tjera të ngjashme, XUEXA dhe Grokrexduu.

“AKSK ka marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse AKEP, Policinë e Shtetit dhe ofruesit e shërbimeve të internetit”, njoftoi AKSK.