Fushata e nisur nga Bashkia e Tiranës për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset private ka rikthyer vëmendjen tek standardet e dyfishta të zbatimit të ligjit në vend. Ndërsa në kryeqytet janë hequr disa çadra dhe struktura të improvizuara nga lokalet, përfshirë edhe lokalin “Rozafa” të biznesmenit Gjergj Luca – i cili njihet për lidhjet e tij të ngushta me qeverinë – në Kamëz, situata është ndryshe.
Faqja kritike “Brryli Brodway” ka publikuar së fundmi një foto të një lokali që dyshohet se është në pronësi të familjes së kryebashkiakut të Kamzës, Rakip Suli. Lokali, sipas pamjeve, vazhdon të mbajë të zënë sheshin kryesor të qytetit, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet lokale apo qendrore. Postimi ironizon aksionin e ndërmarrë, duke e cilësuar si “aksion fasadë”, që nuk prek të gjithë njësoj, por godet aty ku nuk ka mbrojtje politike.
Gjesti i Gjergj Lucës për të hequr dy çadrat para lokalit të tij në Tiranë u paraqit si shembull bashkëpunimi, por sipas kritikëve, ai shërbeu më shumë si manovër propagandistike për t’i bërë qejfin Ramës dhe për të legjitimuar fushatën që lë jashtë goditjes klientelën politike. “Kur bëhet fjalë për bizneset e njerëzve pranë pushtetit lokal në Kamëz, si lokali i Sulit, shteti bën sikur nuk sheh,” thuhet në postimin e Brrylit.
Nëse qëllimi është çlirimi i hapësirave publike për qytetarët, kritikohet fakti që ky aksion nuk zbatohet në mënyrë të barabartë. Dhe kështu, në vend që të japë një mesazh force ndaj informalitetit, fushata në Tiranë po perceptohet si një tjetër rast i selektivitetit politik.

