Muaji shkurt shënoi fillimin e aplikimit të çmimit të ri të energjisë elektrike për abonentët familjarë, i ndarë në dy kategori, 8.5 lekë për kilovat për abonentët që konsumojnë deri në 700 kilovatorë dhe 9.5 lekë për të gjithë ata që e kalojnë këtë shifër.
Lexuesi i matësit të energjisë elektrike ka një rol të rëndësishëm në të gjithë këtë proces. Ndaj, OSHEE ka ndërmarrë një sërë masash me qëllim për të garantuar një faturim sa më korrekt dhe në kohë për çdo abonent.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Enea Karakaçi dhe ai i OSSH, Blendian Dalipi, inspektoi në terren një pjesë të punës që po bëhet nga lexuesit e matësit të energjisë, për t’ju ofruar qytetarëve një faturim të drejt.
“Ky është një proces shumë i rëndësishëm. Ne kemi nxjerrë një urdhër të posaçëm ku kemi referuar të gjitha dinamikat e procesit të leximit, datat përkatëse kur fillon leximi si dhe duke përfshirë dhe ato që janë penalitetet, por dhe sesi e zgjidhim ne në qoftë se konsumi është mbi 700 kilovat. Kemi kërkuar që çdo konsum mbi 700 kilovat të ketë foton e vetë transparente në mënyrë që të jemi edhe më afër klientëve për çdo ankesë që mund të kenë”, sqaroi Karakaçi.
Krahas fotos së matësit, lexuesi do të dërgojë edhe vendndodhjen e tij në mënyrë që të shmangen abuzimet. “Nga ky muaj e në vazhdim janë shtuar filtrat për leximin e faturimit, që do të thotë, në rast se një fotografim i aparatit matës nuk është i qartë nga operatorët në sistem ky lexim nuk kalon për faturim, por i kërkohet edhe një herë lexuesit të rikthehet dhe ta riverifikojë. Foto që dërgohet në sistem, bashkë me gjeolocation, duhet të jenë 100% të sigurta që të konfirmojmë që leximi i matësit korrespondon me leximin e sistemit”, bëri të ditur Dalipi.