FLASH :

Nis akademia e Barinjve te PS, çobani i pare Rama

Dikur talleshin me “akademinë e barinjve”, por sot po e zbatojnë me zell të plotë. Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht “shkollën verore” për deputetët e rinj, një akademi politike e cila i ngjan më shumë një fermë edukimi politik, ku kryebariu është vetë Edi Rama, ndërsa senatorët e gardës së vjetër bëjnë rolin e barinjve me përvojë.

Ironia është se vetë Frida Krifca, kur ishte ministre e Bujqësisë, u bë objekt memes dhe batutash, kur përmendi me krenari një “akademi për barinjtë”, që synonte trajnimin e të rinjve për blegtorinë moderne. Sot, i njëjti model – në dukje përçmues – po merret si shembull për t’i mësuar të rinjtë e PS-së sesi të sillen si deputetë.

Kjo “akademi politike”, siç e quajnë zyrtarisht, ka për qëllim të trajnojë 53 deputetët e rinj, shumë prej të cilëve nuk njihen për eksperiencë politike apo lidhje me elektoratin. Në fakt, një pjesë e mirë e tyre janë zgjedhur nga listat e mbyllura, me besnikëri ndaj qendrës dhe jo ndaj qytetarëve. Prandaj, partia vendosi t’i mësojë që tani si të flasin, si të sillen dhe si të bëjnë opozitën të duket e panevojshme.

Lektori i parë? Askush tjetër përveç Edi Ramës vetë, i cili si një “kryeçoban” i PS-së, po merr nën kujdes tufën e re të “kecave” që do të kullosin në sallën e Kuvendit nga shtatori. Të rinjtë do të trajnohen çdo fundjavë në selinë rozë deri në fund të korrikut, ndërsa “mësuesit” janë figurat e njohura të socialistëve: Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Niko Peleshi, dhe të tjerë “barinj të vjetër” me përvojë në ruajtjen e rendit parlamentar.

Në agjendën e kësaj vere përfshihen leksione mbi ligjvënien, marrëdhëniet me publikun, integrimin europian dhe – në nëntekst – sesi të mos dalin nga rreshti. Ministrja Adea Pirdeni dhe ish-ministrja Olta Xhaçka do të trajnojnë “kecat” mbi mënyrën sesi përfaqësohet Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

Mes këtyre emrave të rinj bie në sy Zegjine Çaushi, një deputete thuajse e panjohur për publikun e gjerë, por që ka marrë më shumë vota preferenciale sesa figura të njohura të vetë PS-së. Fenomeni i saj është tregues se votuesit shpesh nuk zgjedhin mbi bazën e meritës apo eksperiencës, por për shkak të listave të mbyllura dhe imponimit të qendrës. Ajo, si dhjetëra të tjerë, është shembull i “kecave të listës”, që tani po rriten në akademinë e brendshme të Rilindjes për të mësuar si të bëhen deputetë funksionalë në modelin Rama.

Pra, Frida Krifca s’mund ta kishte parashikuar më mirë: akademia e barinjve është realitet – vetëm se tani është për politikën dhe jo për bagëtinë. Dhe siç duket, kjo tufë po bëhet gati për të ndjekur çobanin e tyre edhe në mandatin e katërt.