Nicole Kidman dhe Keith Urban kanë vendosur të divorcohen pas 19 vitesh martesë.
Aktorja 58-vjeçare, fituese e çmimit Oscar, dhe muzikanti 57-vjeçar kanë dy vajza, Sunday Rose, 17 vjeçe, dhe Faith Margaret, 14 vjeçe.
Sipas një burimi pranë çiftit, oraret intensive të punës ishin vendimtare për distancën që u krijua mes tyre.
“Keith nuk e sheh kurrë Nicole, pavarësisht nëse ajo është duke xhiruar një film apo ai ndodhet në turne. Kishte shumë dashuri mes tyre dhe ata mund të mos divorcohen, por marrëdhënia e tyre nuk po funksionon më si çift”, tha burimi.
Çifti u pa për herë të fundit së bashku në qershor, kur morën pjesë në një ndeshje të Kupës së Botës në Nashville, Tennessee.
Që atëherë, Urban ka qenë kryesisht në turneun e tij “High and Alive World Tour” dhe po përgatitet të performojë në Pensilvani.
Kidman dhe vajzat e tyre ndodhen në Nashville, në rezidencën prej 4 milionë dollarësh që blenë së bashku.
Sipas një raporti nga TMZ, muzikanti tashmë ka blerë shtëpinë e tij në të njëjtin qytet dhe është larguar nga banesa e familjes.
Sipas “TMZ” dyshja jetojnë të ndarë që nga vera. “Nicole nuk e donte këtë,” tha një mik i çiftit për PEOPLE. “Ajo po luftonte për të shpëtuar martesën”.
Motra e Nicole, Antonia, po i qëndron pranë aktores, si dhe e gjithë familja Kidman, në mbështetje të saj.
Kidman dhe Urban u takuan për herë të parë në vitin 2005 në galanë “G’Day USA” në Los Angeles, një event që promovonte atdheun e tyre të përbashkët, Australinë.
Çifti njoftoi fejesën e tyre pas 1 viti, pak para se të martoheshin në Sydney në qershor 2006.
Në muajt e parë të martesës së tyre, Kidman kishte arritur ta bindte këngëtarin për t’u përballur me varësinë e tij nga alkooli, duke e bindur atë të shkonte në një qendër rehabilitimi.
Në vitet që pasuan, këngëtari shpesh thoshte se ia detyronte rehabilitimin gruas së tij.
Nicole Kidman ka qenë e martuar më parë me Tom Cruise për 11 vjet, nga viti 1990 deri në vitin 2001, me të cilin adoptoi dy fëmijë, Isabella, 32 vjeç, dhe Connor, 30 vjeç.
Pavarësisht divorcit që duket se është i afërt, njerëz pranë çiftit nuk e përjashtojnë mundësinë e një ribashkimi, duke lënë të hapur mundësinë që ata të gjejnë përsëri një rrugë të përbashkët në të ardhmen.