Ngjyra, ëmbëlsi dhe traditë: Kështu festohen Pashkët në Gjermani

Nga e Premtja e Zezë deri tek e Hëna e Pashkës, për të krishterët kjo periudhë është ndër më të rëndësishmet e vitit. Por në Gjermani, Pashkët nuk janë vetëm festë fetare – janë edhe një ngjarje kulturore, sociale dhe festive që përfshin gjithë shoqërinë.

Që në muajin shkurt, raftet e dyqaneve mbushen me lepuj prej çokollate dhe vezë të shumëngjyrshme – simbole të ringjalljes dhe jetës së re. Ndërkohë që natyra fillon të zgjohet me ardhjen e pranverës, edhe qytetet gjermane zbukurohen me dekorime që festojnë ardhjen e Pashkëve.

Megjithëse origjina e festës është e krishterë, shumë gjermanë sot e festojnë më shumë për traditë sesa për besim. Pjesëmarrja në ritet fetare është më e kufizuar, dhe shumë pak ndjekin rregullat e agjërimit apo përkujtojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ngjarjet biblike që lidhen me Jezu Krishtin. Megjithatë, në kishë ende dëgjohet përshëndetja tradicionale e besimtarëve: “Krishti u ngjall” – “Vërtet u ngjall”.

Simboli më popullor i Pashkëve në Gjermani mbetet lepurushi që “fsheh” vezët dhe ëmbëlsirat për fëmijët. Të dielën e Pashkëve, fëmijët nisen në kërkim nëpër kopshte dhe oborre për të gjetur dhuratat e vogla që “ka lënë” lepurushi gjatë natës. Është një lojë që sjell gëzim dhe nostalgji, e trashëguar brez pas brezi.

Në zona të ndryshme të Gjermanisë ruhen edhe zakone lokale. Në Horhausen, për shembull, zhvillohet një garë tradicionale ku pjesëmarrësit hedhin vezë të ziera dhe ngjyrosura – dhe fiton ai që e hedh vezën më larg.

Pashkët në Gjermani janë një ndërthurje perfekte e simbolikës fetare, festës familjare dhe gëzimit të pranverës – një kohë që afron njerëzit me njëri-tjetrin dhe ringjall atmosferën e fëmijërisë.