FLASH :

Ngjarja h*rror në Mat, si u rrëmbye, u mbyt dhe më pas u hodh në liqen 23-vjeçari Renis Dobra! Autorët, dyshohet të veshur si policë

Renis Dobra, 23 vjeç, nga një fshat i Matit, është gjendur i pajetë dhe me shenja të dukshme dhunë, buzë liqenit të Shkopetit.

Babai i tij kishte mbërritur në komisariatin e Burrelit mbrëmjen e së martës duke denoncuar se kishte humbur kontaktet me të birin, ndërkohë që askush nuk ia dinte vendndodhjen. Ditën e djeshme (9 Korrik), orëve të para, një qytetar ka telefonuar policinë duke dëshmuar se ka parë një trup të pajetë në afërsi të liqenit.

Me të shkuar në vendin e ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për të riun, që policia kishte marrë denoncim një natë më parë. Nga dëshmitë e para të familjarëve nuk është mësuar asnjë detaj që ndihmon në hedhjen dritë mbi shkaqet, ndërkohë që policisë dhe prokurorit të gatshëm u janë dashur shumë orë për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me djalin.

Ndonëse Policia e Dibrës nuk reagoi zyrtarisht ditën e djeshme në lidhje me krimin e rëndë, ngjarja që nga mëngjesi e deri mesditë kaloi nëpër tri versione. Fillimisht u tha se djali ishte vrarë me plumb dhe ishte hedhur poshtë rruge. Më pas policia konstatoi se nuk ka plagë plumbi, e për pasojë u hodh ideja e një aksidenti, ku u tha se edhe mjeti ka përfunduar në liqen, ndërkohë që pas mesdite, teksa janë hapur një sërë kamerash nga Burreli e deri në Shkopet, është konstatuar pas mjetit të të riut një makinë tjetër, nga ku dyshohet se kanë dalë disa persona, e kanë rrëmbyer, e dhunuar derisa djali ka ndërruar jetë.

Askush nuk di të thotë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por do të jetë e sotmja, me ekspertët që do të shkojnë nga Tirana që do të hedhin dritë mbi ngjarjen që ka tronditur gjithë opinionin publik. Policia lokale ka nisur marrjen e dëshmive, shoqërimin e disa personave, ndërkohë që janë vënë në kërkim të mjetit të konstatuar pas makinës së Renisit, makinë që dyshohet që mbarte autorët e aktit horror.