Pas takimit të së enjtes mes presidentes Vjosa Osmani dhe krerëve të partive parlamentare, nuk është arritur ndonjë përparim për zhbllokimin e ngërçit politik që vazhdon prej tre muajsh, për shkak të dështimeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Presidentja Osmani deklaroi se nuk ka pajtim mes partive për këtë proces, megjithatë shprehu optimizëm për një “disponim minimal” për zgjidhje. Ajo paralajmëroi se takimet do të vazhdojnë dhe nuk përjashtoi mundësinë që çështja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në rast se ngërçi vazhdon.
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, thanë se pozicionet mbeten të pandryshuara dhe nuk ka iniciativa reale për tejkalimin e krizës. Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi nevojën për zgjedhjen e një kandidati unifikues për kryetar Kuvendi.
Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdon të mbështesë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash, pasi partitë opozitare e konsiderojnë atë figurë përçarëse dhe nuk e mbështesin.
Ngërçi politik po pengon formimin e institucioneve të reja dhe zvarrit shpërndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, me pasoja negative për zhvillimin ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
Ekspertë ndërkombëtarë theksojnë se zgjidhja kërkon angazhim më të fuqishëm të Perëndimit, ndërsa politikanët vendorë akuzohen për mungesë përgjegjshmërie dhe bashkëpunimi.