Për të 34-ën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në përpjekje për të konstituar legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Që prej seancës së parë më 15 prill, bllokimi ka vazhduar për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në seancën e fundit më 17 qershor, si në rastet e mëparshme, dështoi miratimi i komisionit mbikëqyrës për votimin e fshehtë, i domosdoshëm për zgjedhjen e kreut të legjislativit. Lëvizja Vetëvendosje, që ka dalë fituese e zgjedhjeve, ka propozuar Arbërie Nagavcin si kryetare, por ajo kundërshtohet ashpër nga PDK dhe AAK, të cilat e cilësojnë si figurë përçarëse.
Ndërkohë, çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e cila ende nuk ka dhënë një vendim. Deri atëherë, mbetet e bllokuar jo vetëm themelimi i Kuvendit, por edhe krijimi i qeverisë së re, pasi kërkohet zgjedhja e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve me së paku 61 vota.







