FLASH :

Ngërçi në Kuvendin e Kosovës: A është Albulena Haxhiu pengesë apo pretekst?

Zhvillimet më të fundit politike në Kosovë po tregojnë për një krizë të thellë institucionaliste. Përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës kanë ngecur pas dështimit të tri votimeve për postin e kryetares së Kuvendit, ku emri i Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë shumicën prej 61 votash.

PDK dhe AAK e shohin Haxhiun si figurë përçarëse, duke theksuar gjuhën e saj konfliktuoze dhe rolin e saj të diskutueshëm në qeverisjen e kaluar, ndërsa LDK refuzon të votojë çdo kandidat të propozuar nga LVV. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, përmendi zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe uljen e buxhetit për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë si arsye për refuzimin e Haxhiut.

Nga ana tjetër, LVV mbetet e vendosur në kandidaturën e saj, duke e theksuar legjitimitetin politik të Haxhiut si deputetja më e votuar në vend. Mimoza Kusari Lila tha se “pesha politike e Haxhiut është e pakontestueshme”.

Analisti Besar Gërgi nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike (GSLP) argumenton se kjo përplasje është një kombinim i një refuzimi real ndaj kandidaturës së Haxhiut dhe një preteksti të mirë për partitë që të vonojnë formimin e institucioneve. Ai e përshkruan këtë situatë si një “marshim të heshtur drejt zgjedhjeve të reja”.

Sugjerimet për emra të tjerë, si Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi nga AAK, nuk kanë gjetur ende hapësirë për kompromis. Nëse Kuvendi nuk konstituohet, nuk mund të formohet as qeveria. LVV do të ketë 15 ditë për të ndërtuar ekzekutivin pas përfundimit të procesit, përndryshe presidentja e vendit mund të ngarkojë një parti tjetër që arrin të sigurojë 61 vota.

Seanca konstituive, e cila nisi më 15 prill, është ndërprerë pesë herë dhe mund të vazhdojë në mënyrë të përsëritur sipas Rregullores së Kuvendit, por pa zgjedhjen e kryetarit, Kuvendi mbetet i bllokuar.

Kosova ndodhet sërish në një udhëkryq politik. Pyetja nuk është më vetëm nëse Haxhiu është përçarëse apo jo, por nëse elitat politike janë të gatshme të zgjidhin krizën ose do të detyrojnë vendin të kthehet sërish në zgjedhje.