Kosova vazhdon të mbetet pa Kuvend të konstituuar dhe pa qeveri të re, më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Për herë të 22-të me radhë, deputetët do të mblidhen sot në orën 10:00 për të tentuar konstituimin e përbërjes së re parlamentare – një proces që ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Përplasjet politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare kanë kulmuar rreth propozimit të Avni Deharit për një votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Kjo procedurë, e cila u propozua pas dështimeve të Albulena Haxhiut për të siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votash, është kontestuar nga opozita dhe është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Të dielën, për të 13-tën herë radhazi, ligjvënësit refuzuan formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë, duke thelluar më tej krizën institucionale. Opozita e konsideron antikushtetuese këtë formë zgjedhjeje dhe ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të ndalojë mbajtjen e seancave derisa të vendosë për ligjshmërinë e saj.
Deri më tani, Kuvendi ka përmbyllur vetëm dy pika të seancës konstituive: verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve. Zgjedhja e kryeparlamentarit mbetet pengesa kryesore për të çuar përpara formimin e institucioneve të reja.
Në mungesë të një zgjidhjeje të afërt, Kosova përballet me një paralizë të funksionimit shtetëror, që rrezikon të ndikojë edhe në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme dhe ekonomike.