Nga Maksi Çami
Të verbuar nga joshja e pushtetit. Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, dy figura që ngjallën shpresë për një alternativë ndryshe në politikën shqiptare, e kanë rrënuar imazhin e tyre me një shpejtësi befasuese. Një imazh i ndërtuar me mund, investim financiar dhe mbi të gjitha me sakrificën morale e personale të mijëra aktivistëve e mbështetësve që u besuan sinqerisht. Sot, po i zhgënjejnë të gjithë.
Historia e gjatë, në thelb është e thjeshtë:
A. Koalicioni “Nisma – Shqipëria Bëhet” e nisi fushatën me një premtim të fortë moral: se lista e mbyllur ishte vetëm një instrument teknik dhe se, pas zgjedhjeve, nëse koalicioni merrte vetëm një mandat, kandidati më i votuar do ta përfaqësonte. Ishte një akt simbolik që shënonte përkushtim ndaj meritës dhe transparencës. Ky zotim publik tani është thyer.
B. Sipas këtij parimi, mandati i vetëm që fitoi koalicioni në Tiranë duhet t’i shkonte Adriatik Lapajt, që mori 4554 vota, pra më shumë se çdo kandidat tjetër në listë.
C. Lapaj, në një gjest që shumëkush e konsideroi të ndershëm, deklaroi publikisht gjatë fushatës se “nëse koalicioni fiton vetëm një mandat, ai nuk do ta marrë atë.” Ishte një premtim që e ngre në sferën e moralizmit politik, por që nuk u shoqërua me një marrëveshje të qartë ligjore.
D. Në përputhje me këtë deklaratë, mandati duhej t’i kalonte Endri Shabanit, që renditej i dyti në listë me 2477 vota. Por këtu nis komedia.
E. Adriatik Lapaj, siç duket, u bë pishman. Filloi të kërkonte që mandati t’i shkonte atij, duke kërkuar dorëheqje në seri të kandidatëve të tjerë në listë, derisa të arrinte te emri i tij. Si kundërpërgjigje, Endri Shabani përdori një manovër politike të ulët: aktivizoi dajon e tij, Zeqir Kordhoni, i cili ishte në fund të listës, për të mos dhënë dorëheqje dhe për të bllokuar rrugën drejt Lapajt.
F. Tani, Lapaj i kërkon Kordhonit të largohet për t’i hapur rrugë, por Kordhoni, njeriu i Shabanit, refuzon. Një hakmarrje politike që në fakt zhvesh lakuriq si Lapajn, ashtu edhe Shabanin, përballë opinionit publik.
Kjo është një tragjikomedi politike që, pa filluar ende legjislatura, ka përçmuar idealet me të cilat këta të rinj dolën para publikut. Por gjithsesi, ekziston një zgjidhje. Një zgjidhje elegante, funksionale dhe e drejtë. Pakti i artë që asnjëri nuk di ta shohë është ky:
Të dy, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, duhet të tërhiqen nga kërkesat për mandat. Të dy ta refuzojnë zyrtarisht përfaqësimin dhe t’ia lënë vendin dy zonjave që përfaqësojnë frymën dhe besimin e koalicionit. Dy vite ta marrë Livia Stavri, e dashura e Endrit, dhe dy vitet e tjera Dorina Prethi, nënkryetarja e Nismës.
Kjo zgjidhje është më shumë sesa kompromis: është kthim te burimi moral i koalicionit. Nëse Lapaj dhe Shabani janë aq burrërorë sa pretendojnë, duhet të pranojnë se kanë hyrë në një rreth vicioz egoje dhe kalkulimi, dhe t’i hapin rrugë një modeli të ri përfaqësimi, ku gratë, bindjet dhe qëndrueshmëria morale të marrin vendin që meritojnë. Po nuk e bënë këtë, ata do të mbeten si shumë të tjerë para tyre: të rinj me fjalë të mëdha, që u bënë të vegjël para një kolltuku të vetëm.