Avokati penal Akhmed Yakoob, i njohur në rrjetet sociale si “TikTok lawyer”, u vu në qendër të vëmendjes pas akuzave për pastrim parash nga Agjencia Kombëtare e Krimeve në Mbretërinë e Bashkuar. Por për Yakoob, kjo është më shumë se një çështje ligjore – është një “sulm politik”, sipas tij, për shkak të qëndrimeve të tij pro-Gazës.
Në një video me mbi 200 mijë ndjekës në TikTok, Yakoob pretendoi se arrestimi nga njësia kundër terrorizmit është përpjekje për ta heshtur politikisht. “Kjo nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me ndëshkimin tim për qëndrimet e mia politike”, u shpreh ai.
Dikur i njohur për postimet luksoze me makina Rolls-Royce e Lamborghini, që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Yakoob ndryshoi tonin publik, duke u bërë një nga zërat më të zhurmshëm në mbrojtje të Palestinës.
Ai kandidon si i pavarur për kryetar të Bashkisë së West Midlands dhe fitoi gati 70 mijë vota, duke dalë i treti – një sukses që do të shënonte nisjen e një vale të re kandidaturash të pavarura me platformë pro-Gaza. Në zgjedhjet parlamentare që pasuan, ai doli i dyti në zonën Birmingham Ladywood me 33.2% të votave, duke sfiduar kandidaturën e deputetes laburiste Shabana Mahmood.
Fitorja më domethënëse erdhi nga Ayoub Khan, i cili garoi si i pavarur në Perry Barr, duke rrëzuar deputetin laburist Khalid Mahmood me vetëm 507 vota, me sloganin “Një votë për ne është një votë për Gazën”.
Fenomeni i “votës muslimane” po bëhet një faktor vendimtar në politikën britanike urbane, veçanërisht në zona si Small Heath në Birmingham, ku mbi 85% e popullsisë është myslimane. Në këtë zonë, flamuj palestinezë dhe pakistanezë valëviten mbi dyqane dhe xhami, ndërsa shqetësimet për ndarjen sektare dhe ndikimin e organizatave islamiste po rriten.
Ish-deputeti Mahmood thekson se humbja e katër vendeve nga laburistët lidhet me aktivizimin politik të komuniteteve myslimane të ndikuara nga organizata si The Muslim Vote, MCB dhe MEND, të cilat sipas tij promovojnë një axhendë islamiste në emër të çështjes së Gazës.
Ndikimi i këtyre grupeve, sipas ekspertëve të ekstremizmit, nuk kufizohet në mbështetje për të drejtat e njeriut, por përdor Gazën si platformë për agjendë më të gjerë fetare dhe politike.
Në terren, megjithatë, ka edhe zëra të moderuar si Nadeem Afzal, një punonjës social dhe qytetar krenar i Birminghamit, i cili paralajmëron për rrezikun që përbën politizimi fetar për shoqërinë britanike. “Zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë një ‘luftë e përgjakshme’ për Laburistët, sepse këta kandidatë nuk kanë interes për transportin, buxhetet apo shërbimet. Për ta ekziston vetëm Gaza – dhe kjo nuk ndihmon askënd, as në Birmingham, as në Gaza.”
Ndërsa politika britanike ndryshon nën ndikimin e komuniteteve të reja, tensioni mes integrimit dhe radikalizmit mbetet një nga sfidat më të mëdha të demokracisë urbane në Mbretërinë e Bashkuar.











