Në Korenë e Veriut, një nga diktaturat më të egra dhe më të mbyllura të botës, çdo hap i gabuar mund të kushtojë jetën. Nën udhëheqjen e Kim Jong Un, regjimi e ka kthyer bindjen totale në një detyrim absolut për mbijetesë, ku frika dhe adhurimi i detyruar ndaj liderit janë pjesë e përditshmërisë.
Qytetarët rriten me bindjen se Kim Jong Un është një figurë gjysmë-hyjnore, ndërsa çdo kritikë, dyshim apo edhe gabim i thjeshtë mund të interpretohet si “tradhti ndaj shtetit” – një krim që dënohet me burgim, internim apo edhe ekzekutim publik. Dëshmitarë të rrallë që kanë arritur të arratisen, tregojnë për njerëz që janë zhdukur vetëm sepse nuk e qajnë me mjaftueshëm bindje vdekjen e liderit, apo sepse ndonjë fjalë e paqëllimshme u është përgjuar nga komshinjtë.
Sistemi i ndëshkimit kolektiv e bën edhe më të rrezikshëm çdo devijim: një qytetar i “fajshëm” sjell ndëshkimin e gjithë familjes së tij deri në tre breza. Kampet e përqendrimit – të quajtura zyrtarisht “kampe riedukimi” – janë një realitet i heshtur ku uria, puna e detyruar dhe tortura janë normë. Çdo përpjekje për të parë botën jashtë kufijve të vendit – për shembull duke parë një film të huaj apo duke përdorur telefon të kontrabanduar – konsiderohet krim shtetëror.
Në një vend ku as e vërteta nuk lejohet të thuhet, qytetarët nuk jetojnë: ata mbijetojnë, me sy ulur, me gojën mbyllur, dhe me frikën se çdo mëngjes mund të jetë i fundit. Sundimi i Kim Jong Un nuk është thjesht një diktaturë – është një sistem i përsosur i kontrollit totalitar që ka shndërruar një komb të tërë në një burg të hapur.







