Nga nesër mbyllet Tik Tok në Shqipëri por ja se si mund ta aksesoni sërish

Qeveria shqiptare ka marrë një vendim të papritur, duke kërkuar nesër bllokimin e aksesit në aplikacionin TikTok dhe infrastrukturën e tij digjitale, duke shkaktuar një sërë reagimesh. Me një shkresë të datës 10 mars 2025, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) i ka drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) kërkesën për bllokimin e të gjitha IP-ve, DNS-ve, dhe SNI-ve të TikTok në territorin shqiptar. Ky hap radikal vjen pas shqetësimeve për sigurinë e të dhënave dhe ndikimin e mundshëm të aplikacionit në sigurinë kombëtare.

Në shkresën e AKSK-së, citohet vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151, datë 6 mars 2025, i cili mbështet kërkesën për bllokim dhe përshkruan me detaje listën e të gjitha IP-ve dhe domain-eve që duhen mbyllur. Sipas ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, çdo operator ose sipërmarrës që ofron shërbime të komunikimeve elektronike është i detyruar të zbatojë kufizimet e urdhëruara nga autoritetet për përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.

Kjo masë, që ka ndodhur në një periudhë të tensionuar ndërkombëtarisht për sigurinë kibernetike, ka ngritur shqetësime mbi mundësinë e një ndikimi të mundshëm në përdoruesit shqiptarë të TikTok, të cilët janë të shumtë. Autoritetet kërkojnë që çdo ISP (Internet Service Provider) të konfirmojë mbylljen e aksesit deri më 13 mars 2025.

Megjithatë përdoruesit shqiptarë që dëshirojnë të aksesojnë TikTok pas bllokimit mund të përdorin një VPN (Virtual Private Network) falas. VPN-të krijojnë një lidhje të sigurt dhe anonime me internetin, duke fshehur IP-në e përdoruesit dhe duke mundësuar hyrjen në përmbajtje të bllokuar gjeografikisht. Përdoruesit mund të shkarkojnë një VPN falas, si “ProtonVPN” ose “Windscribe”, të cilat ofrojnë mundësinë për të zgjedhur një server në një vend ku TikTok nuk është i bllokuar. Pas lidhjes me një server të huaj, ata mund të shfrytëzojnë aplikacionin pa hasur në kufizimet e vendosura nga autoritetet shqiptare. Megjithatë, përdorimi i VPN-ve për shkelje të politikave të shtetit mund të sjellë deri në tre vite burg.