Presidenti Donald Trump ka premtuar se do të “rindërtojë dhe rihapë Alcatraz-in” si pjesë e një plani të ri për të luftuar kriminelët e dhunshëm dhe emigrantët e paligjshëm.
Në një postim të bërë në Truth Social, Trump shkroi:
“Rihapja e ALCATRAZ-it do të shërbejë si një simbol i Ligjit, Rendit dhe DREJTËSISË.”
Ai ka urdhëruar Byrojnë Federale të Burgjeve që, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin për Sigurinë Kombëtare, të rindërtojnë dhe zgjerojnë ndjeshëm këtë burg famëkeq, i cili dikur strehoi gangsterin Al Capone.
Sipas Trump-it, burgu do të përdoret për të strehuar “kriminelët më të dhunshëm dhe më të pamëshirshëm të Amerikës.”
Vendimi vjen pas përplasjeve të tij me gjykatat, të cilat e kanë penguar të dërgojë anëtarë bandash dhe emigrantë të paligjshëm në një burg famëkeq në El Salvador. Alcatraz-i, sipas tij, do t’i ofrojë një zgjidhje alternative për të anashkaluar urdhrat gjyqësorë që ndalojnë deportimet masive.
“Nuk do të jemi më peng i kriminelëve, banditëve dhe gjyqtarëve që nuk bëjnë detyrën e tyre,” shkroi ai, duke lënë të kuptohet se emigrantët e paligjshëm do jenë të parët që do dërgohen në Alcatraz.
Trump gjithashtu ka dhënë urdhër për ndërtimin e një qendre të re paraburgimi në Guantanamo Bay, Kubë, që do të strehojë deri në 30,000 emigrantë të paligjshëm, të cilët ai i quan “kriminelët më të rrezikshëm”.
Historia dhe kostot e Alcatraz-it
Alcatraz ishte një burg federal me siguri maksimale në një ishull pranë San Franciskos, i cili u mbyll më 1963 pas 29 vitesh funksionim.
Përveç të burgosurve famëkeq, burgu u bë i njohur edhe falë filmit “The Rock” me Sean Connery dhe Nicolas Cage.
Një nga arsyet kryesore të mbylljes së tij ishte kostoja tepër e lartë e mirëmbajtjes. Në vitin 1959, kostoja për të mbajtur një të burgosur në Alcatraz ishte 10.10 dollarë në ditë, ndërsa në burgun e Atlantës ishte vetëm 3 dollarë.
“Ishulli nuk kishte burim të ujit të pijshëm, prandaj duhej transportuar mbi një milion galonë ujë çdo javë,” shpjegoi një zëdhënës i Byrosë së Burgjeve.
Kthimi në simbol të frikës?
Trump e përshkroi Alcatraz-in si një mënyrë për të ripërtërirë seriozitetin dhe frikën që ligji duhet të ngjallë:
“Për shumë kohë, Amerika është prekur nga kriminelë të dhunshëm dhe recidivistë, mbeturinat e shoqërisë. Nuk do t’i tolerojmë më këta autorë të gjakderdhjes dhe kaosit.”
Alcatraz kishte 378 qeli, përfshirë qeli izolimi, dhe u bë i famshëm për kushtet e tij primitive.
Ndër arratisjet më të njohura ishte ajo e vitit 1962 nga Frank Morris dhe vëllezërit Anglin, të cilët përdorën kokë manekinesh prej suva dhe floku njerëzor për të mashtruar rojet. Ata nuk u gjetën kurrë.
Nga burg në atraksion turistik
Pas mbylljes, Alcatraz u bë pjesë e Zonës Rekreative Kombëtare të Golden Gate më 1972 dhe u hap për publikun në 1973 si monument historik.
Aktualisht, ishulli vizitohet nga mbi 1.5 milionë turistë çdo vit dhe biletat për turne shpesh shiten me javë përpara.
Në janar, Don Jr., djali i madh i Trump-it, sugjeroi në rrjetin X rihapjen e Alcatraz-it, duke nxitur spekulime se ideja mund të ketë ardhur prej tij.