Katër vite më parë, gazetari Enerik Mehmeti raportonte me përkushtim nga vendi i ngjarjes: një grabitje në një argjendari. Kronika ishte montuar me kujdes, ngjarja kishte dramaticitet dhe në fund mbetej vetëm pyetja: “Po Policia, çfarë po pret?”
Por këtë javë, rolet janë kthyer me themel. Enerik Mehmeti nuk është më ai që jep lajmin, është vetë pjesë e tij. Në një sherr të ndodhur në një lokal në Vlorë, ku sipas Policisë janë përfshirë ish-shefi i qarkullimit rrugor dhe pronari i lokalit, Mehmeti përmendet si një nga të dyshuarit për dhunë ndaj policit.
Sipas Prokurorisë së Vlorës, gazetari është proceduar për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje, ndërsa në dosje përmendet edhe një detaj tjetër: një mjek nga Vlora ka ngritur aludime për goditje me levë, duke ngritur dyshime për ashpërsinë e dhunës së ushtruar ndaj policit.
Në një intervistë të dhënë për Top Channel, Mehmeti e mohon çdo përfshirje direkte në aktin e dhunës, duke deklaruar se ka qenë i pranishëm, por nuk ka ushtruar asnjë goditje. Por në të njëjtën kohë, ai lë të kuptohet se procedimi ndaj tij mund të jetë një formë hakmarrjeje nga ana e Policisë. Sipas tij, efektivë të rendit kanë kërkuar që të mos e publikohet rastin e dhunës së ushtruar ndaj kamerierit.
Ironia qëndron se: dikur transmetonte kronikë për krime, sot përmendet në procesverbalin e një rasti të tillë. Dhe nëse atëherë fliste për autorët që hynin në dyqane me arme, sot duhet të shpjegojë për një ngjarje ku vetë akuzohet se ka hyrë në konflikt.
Kronika qenka kthyer në realitet. Dhe gazetari që dikur kërkonte drejtësi për pronarët e argjendarive, sot ka një hall më të madh: të bindë drejtësinë që nuk është pjesë e dhunës, por thjesht… në vendin e gabuar, në kohën e gabuar.